E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tiranë/ Makineritë ndizen dhe fillojnë punën në orën 5 të mengjesit
Denoncime

Tiranë/ Makineritë ndizen dhe fillojnë punën në orën 5 të mengjesit

Një denoncim qytetar ngre shqetësime për punime ndërtimi të zhvilluara në orët e vona të natës në një zonë të banuar në qendër të Tiranës.

Sipas denoncimit, në orët e para të mëngjesit të 22 gushtit, rreth orës 00:50, përballë një strukture akomoduese në zonën e rrugës “Nikolla Lena”, një kantier ndërtimi ka vijuar punimet me eskavator dhe makineri të rënda.

Qytetarët pretendojnë se zhurma ka qenë e fortë dhe është dëgjuar në zonën përreth, e cila ndodhet vetëm rreth 50 metra nga rruga “Myslym Shyri”, një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.

Sipas denoncuesit, për situatën është njoftuar edhe Policia, ndërsa momentet e punimeve janë filmuar.

Por denoncimi ngre edhe një tjetër pretendim. Një shtyllë e ndriçimit publik në rrugën “Nikolla Lena” dyshohet se është përdorur për të ndriçuar kantierin, ndërkohë që një pjesë e rrugës publike ka mbetur në errësirë.

“Si mund të ndodhë një gjë e tillë në mes të natës, në zemër të Tiranës?”, është pyetja që ngrihet në denoncim.

Qytetarët kërkojnë të dinë nëse kantieri kishte autorizim për të zhvilluar punime me makineri të rënda në atë orar dhe nëse janë respektuar rregullat për nivelin e zhurmave dhe qetësinë publike.

Denoncimi kërkon gjithashtu verifikim nga institucionet përkatëse lidhur me përdorimin e ndriçimit publik dhe mënyrën se si zhvillohen punimet në një zonë ku ndodhen banesa dhe struktura akomoduese.

“Ndërtohet natën, zhurmohet natën, përdoret ndriçimi publik për kantierin dhe qytetari duhet të tolerojë gjithçka”, thuhet në denoncim.

Në material ngrihet edhe shqetësimi për ndikimin që punimet e natës mund të kenë te banorët dhe turistët që qëndrojnë në strukturat akomoduese të zonës.

Denoncuesi i drejtohet edhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që, krahas zhvillimit intensiv të ndërtimeve shumëkatëshe në Tiranë, të garantohet respektimi i rregullave nga kantieret.

“Tirana nuk mund të jetë një qytet ku zhvillimi ekonomik justifikon çdo shkelje. Ndërtimi po, investimet po, zhvillimi po. Por ligji mbi të gjithë”, përfundon denoncimi.

Pretendimet e ngritura në denoncim mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente, përfshirë Policinë, Bashkinë e Tiranës dhe strukturat përgjegjëse për kontrollin e punimeve dhe ndotjen akustike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.