Nga grushtet te thika, sherr mes adoleshentëve në Shkodër
Në Shkodër po shfaqet një fenomen gjithnjë e më shqetësues që tejkalon përplasjet e zakonshme mes nxënësve. Konfliktet mes adoleshentëve të shkollave të mesme po marrin përmasa serioze, duke u shoqëruar edhe me përdorimin e armëve të ftohta, çka ngre alarmin për sigurinë brenda dhe jashtë ambienteve shkollore.
Rasti më i fundit është shënuar të premten, kur disa nxënës nga zona e Vau Dejës, pas përfundimit të orëve të mësimit, ishin lënë për t’u përballur me njëri-tjetrin për të zgjidhur mosmarrëveshje të mëparshme. Takimi u zhvillua pranë vendit ku zakonisht qëndrojnë furgonët që i transportojnë çdo ditë drejt shkollës dhe në kthim.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë se përplasja nisi me grushte mes dy grupeve të të rinjve, por situata u përshkallëzua në mënyrë të rrezikshme kur një prej adoleshentëve nxori një thikë. Me kapuçin e hedhur në kokë, ai tentoi të afrohej drejt kundërshtarëve, duke e kthyer konfliktin në një moment potencialisht fatal.
Fatmirësisht, nga kjo përplasje nuk pati persona të plagosur nga arma e ftohtë. Ndërhyrja e një gruaje që ndodhej aty pranë ka qenë vendimtare për ndërprerjen e sherrit, duke shmangur pasoja shumë më të rënda.
Policia është njoftuar dhe ka mbërritur në vendngjarje, por sipas burimeve zyrtare, është hasur mungesë bashkëpunimi si nga nxënësit e përfshirë, ashtu edhe nga drejtuesit e furgonëve që kanë qenë dëshmitarë të konfliktit.
Për ngjarjen është informuar edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, i cili mësohet se po e ndjek personalisht rastin. Të dhënat paraprake tregojnë se përplasjet mes këtyre adoleshentëve kishin nisur disa ditë më parë. Vetëm një javë më parë, një tjetër konflikt pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka” në Shkodër përfundoi me plagosjen e dy nxënësve.
Mësohetse thika e mbajtur nga njëri prej adoleshentëve ishte e përmasave të konsiderueshme, e ngjashme me armët e ftohta luftarake. Këtë herë, për fat, incidenti u kufizua kryesisht në përplasje fizike, por rreziku i një tragjedie ishte real.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



