Nga muzika në Gjykatën e Posaçme, GJKKO thërret Noizy
Lidhja me procesin ndaj Laert Haxhiut
Reperi i njohur shqiptar, Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku, është thirrur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për t’u bërë pjesë e procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiu si viktimë e veprës penale.
Sipas urdhrit për shpallje publike të datës 23 shkurt, përveç reperit mund të përfshihen në proces edhe babai i tij, Bashkimi, si dhe motra e artistit. Në këtë fazë të procedurës, pasi dosja ka kaluar për gjykim, viktimat e mundshme të veprës penale kanë të drejtë të marrin pjesë në proces, të përfaqësohen nga një avokat ose të zgjedhin të mos jenë pjesë e tij.
Gjykata ka detyrimin ligjor t’i njoftojë viktimat për zhvillimin e procesit, në mënyrë që ato të njihen me çështjen dhe të kenë mundësi të japin deklarimet e tyre gjatë gjykimit.
Sulmi me tritol në Durrës
Sipas informacioneve të publikuara nga gazetari Edison Vatnikaj, reperi ka qenë objektiv i një sulmi me tritol në ambientet e lokalit dhe dyqanit të tij në Durrës.
Hetimet e kryera nga SPAK dhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani kanë zbuluar se vendosja e eksplozivit ishte urdhëruar nga Laert Haxhiu. Sipas hetimeve, sulmi ishte një reagim ndaj një incidenti ku shoku i tij, Kleviol Ahmeti, ishte dhunuar nga persona të lidhur me rrethin shoqëror të reperit.
Dëshmia e të penduarit
Në rrëfimin e tij para hetuesve, Artan Tafani ka deklaruar se vendimi për sulmin u ndikua edhe nga familjarët e Haxhiut. Sipas tij, nëna dhe motra e tij e kishin telefonuar pasi në rrjetin social TikTok ishte shpërndarë një video ku shihej dhunimi i Kleviol Ahmetit.
“Kur doli një video në TikTok që kishin rrahur Kleviol Ahmeti (Serbiano), Laertin e telefonoi nëna e tij dhe motra dhe i treguan se u ishte dhimbsur shumë mënyra se si ishte rrahur,” – ka dëshmuar Tafani.
Sipas tij, gjatë kësaj bisede Haxhiu ishte ndjerë i provokuar dhe më pas kishte dhënë urdhër që të dëmtohej Noizy, duke e konsideruar rrahjen e Ahmetit si një fyerje që kishte shqetësuar familjen e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



