Nga Zekja te Topi: Si u kthye FSDKSH në ‘minierë ari’ për ‘oligarkët e barnave’
Denoncimet e brendshme, raporti i KLSH dhe hetimet zbulojnë një realitet alarmant në sistemin e rimbursimit të barnave
Një institucion që duhet të ishte në vijën e parë të mbështetjes për të sëmurët, pensionistët dhe shtresat në nevojë, dyshohet se është devijuar nga misioni i tij, duke u kthyer në një mekanizëm që favorizon interesa të ngushta ekonomike. Në vend që të garantojë medikamente cilësore për qytetarët, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) përflitet për përfshirje në skema abuzive që lidhen me qarkullimin e barnave të skaduara, krijimin e depo-ve farmaceutike fiktive dhe përvetësimin e fondeve publike në vlera dhjetëra milionë euro.
Brenda një periudhe 10-mujore, ky institucion ka ndërruar tre drejtues, duke shtuar dyshimet se emërimet nuk janë bërë mbi bazë meritokracie, por nën ndikimin e grupeve të interesit në tregun farmaceutik. Sipas burimeve dhe denoncimeve të brendshme, këto grupe dyshohet se ndikojnë drejtpërdrejt edhe në përzgjedhjen e barnave që përfshihen në listën e rimbursimit.
Në shtator të vitit të kaluar, ish-drejtori Spartak Zekja u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pas zbulimit të një skeme të mirëorganizuar abuzimi me fondet e rimbursimit. Hetimet përfshinë edhe zyrtarë të tjerë të Fondit. Megjithatë, ndërkohë që procesi ndaj tij vijon, drejtimi i institucionit kaloi fillimisht te Arti Papajani, i cili u shkarkua pas pak muajsh nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala. Në krye të FSDKSH-së u vendos më pas Ilir Topi, për të cilin brenda institucionit qarkullojnë dyshime se po vijon praktika të ngjashme me paraardhësin, duke favorizuar aktorë të caktuar të tregut.
Burime të brendshme flasin për një klimë presioni dhe selektiviteti, ku po zhvillohet një lloj “gjuetie shtrigash” ndaj disa depo-ve farmaceutike, ndërsa të tjera favorizohen. Paralelisht, dyshohet për ngritjen e skemave të reja abuzive, këtë herë me aktorë të ndryshëm, por me të njëjtin qëllim: përfitimin në kurriz të qytetarëve, veçanërisht të sëmurëve dhe pensionistëve.
Në krye të përgjegjësisë institucionale qëndron Ministria e Shëndetësisë. Ministrja Evis Sala mban edhe postin e kryetares së Këshillit Administrativ të Fondit, ndërsa nënkryetar është Kol Nikollaj, president i Federatave të Sindikatave të Shqipërisë. Prania e këtij të fundit në këtë strukturë është shoqëruar me kritika dhe dyshime, duke pasur parasysh akuzat e mëparshme ndaj tij për çështje pronësie dhe kallëzimet e depozituara në organet e drejtësisë.
Këshilli Administrativ ka kompetenca kyçe, duke përfshirë emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Fondit, si dhe miratimin e paketave të shërbimeve dhe listës së barnave të rimbursueshme. Për këtë arsye, përbërja dhe funksionimi i tij konsiderohen thelbësore për transparencën dhe integritetin e sistemit.

Ndërkohë, skandalet që kanë përfshirë FSDKSH-në janë të shumta dhe të përsëritura. Nga skema e falsifikimit për rimbursimin e barnave në vlerë mbi 700 mijë euro, ku u përfshi ish-drejtori Zekja, deri te dyshimet për hedhjen në treg të barnave false, panorama mbetet shqetësuese.
Sipas hetimeve, ish-drejtori bashkëpunonte me administratorë të depo-ve farmaceutike fiktive, të cilët deklaronin blerje të rreme medikamentesh. Këto produkte rezultonin të “qarkulluara” në sistemin elektronik “e-depo” përmes faturave fiktive drejt farmacive, edhe pse fizikisht nuk ekzistonin.
Së fundmi, Prokuroria e Tiranës ka hapur një tjetër hetim ndaj Fondit dhe një depoje të madhe farmaceutike, për dyshime mbi përfitime të paligjshme përmes skemës së rimbursimit dhe për tregtimin e barnave të skaduara.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar shkelje serioze në menaxhimin e barnave. Sipas auditimit të sistemit “e-depo” për vitin 2024, janë konstatuar 102,778 njësi barnash që kanë dalë nga depot me të njëjtën datë skadence me ditën e shitjes në farmaci, si dhe 143,598 njësi të tjera me afat skadence vetëm 1 deri në 5 ditë pas daljes nga depot.
Raporti thekson gjithashtu probleme të vazhdueshme në furnizim, përfshirë vonesa, mungesa të zgjatura dhe mosrespektim të kontratave. Në disa raste janë konstatuar edhe shpërndarje të barnave spitalore në rrjetin e hapur farmaceutik, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



