Nis numërimi i votave, rezultati i kutisë së parë në Tepelenë
Procesi i numërimit të votave ka nisur në disa bashki të vendit pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00. Në këto zgjedhje të pjesshme vendore, pjesëmarrja ishte ndër më të ulëtat e regjistruara ndonjëherë, me vetëm 18.72% të votuesve që ushtruan të drejtën e tyre të votës.
Berat – numërimi nis në një nga dy vendet e caktuara
Në Bashkinë e Beratit, ka nisur numërimi në njërin nga dy vendet e numërimit të votave (VNV).
Ka përfunduar numërimi i kutisë së parë të votimit për zgjedhjet e pjesshme lokale në bashkinë e Beratit. Sipas informacioneve të para, nga numërimi i kutisë së parë në KZAZ-67 në Berat që i përket QV 3319, kutia e fshatit Bilçë, rezulton se kandidati i PS Ervin Ceca ka marrë 145 vota, kandidati i pavarur Pavllo Shkarpa 8 vota dhe
6 vota të pavlefshme.
Vlora – pjesëmarrja më e ulët në vend
Në Vlorë ka nisur gjithashtu procesi i numërimit të votave. Kutitë janë ndarë në katër KZAZ dhe aktualisht po zhvillohet numërimi në disa prej tyre.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vlora regjistroi pjesëmarrjen më të ulët në shkallë vendi, me vetëm 12.54% të qytetarëve që votuan.
Tepelenë – për herë të parë përdoret Inteligjenca Artificiale në numërim
Në Tepelenë, procesi ka nisur pak përpara orarit zyrtar të shpallur nga KQZ. Kjo bashki është bërë qendra e parë ku përdoret Inteligjenca Artificiale (AI) për verifikimin e fletëve të votimit dhe për ndihmën në numërimin e votave.
Nga 21 kuti votimi në total, është numëruar tashmë kutia e parë (Nivica), ku Gramos Sako nga Partia Socialiste ka marrë 199 vota, ndërsa kandidati i pavarur Gabriel Guma ka marrë 6 vota.
Cërrik – procesi zhvillohet pa incidente
Edhe në Cërrik ka nisur numërimi i votave, me gjithsej 57 kuti në proces.
Në garë janë tre kandidatë:
-
Eligert Hima nga “Shqipëria Bëhet”,
-
Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur,
-
dhe Florenc Doka nga Partia Socialiste.
Procesi po vijon në qetësi, ndërsa rezultatet e para paraprake pritet të publikohen gjatë natës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



