Një incident shqetësues është regjistruar pasditen e së enjtes në zonën e rrethrrotullimit të Rinasit, rreth 300 metra nga mbikalimi. Sipas të dhënave paraprake, një person ka shkaktuar përplasje me katër automjete dhe më pas ka zbritur nga mjeti duke mbajtur në dorë një hanxhar, me të cilin ka kërcënuar dhe ndjekur kalimtarë të rastit.
Situata mund të kishte marrë përmasa më të rënda, por ndërhyrja e menjëhershme e tre efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët ndodheshin rastësisht në vendngjarje, bëri të mundur neutralizimin e tij. Ata e kanë vënë në tokë, i kanë marrë armën e ftohtë dhe i kanë vendosur prangat, duke e mbajtur nën kontroll deri në mbërritjen e policisë.
Deri në këto momente, identiteti i personit të ndaluar nuk është bërë publik. Ngjarja është raportuar fillimisht nga një qytetar pranë redaksisë së JOQ, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga autoritetet për detaje të mëtejshme.
Sipas dëshmisë së qytetarit, autori kishte shkaktuar dëme duke përplasur disa automjete dhe më pas kishte dalë në rrugë i armatosur me hanxhar, duke krijuar panik tek kalimtarët, deri në momentin kur u neutralizua nga efektivët që ndodheshin aty rastësisht.
“Pershendetje! Kam nje rast qe dua ta publikoni urgjent ju lutem! Para 20 min ne rrugen e rinasit ishte nje person me nje hanxhar ne dor qe kishte perplasur disa automjete dhe kercenonte kalimtaret e rastit me hanxhar. Aty rastesisht ishin 3 efektiva te forcave te armatosura me saktesisht me sa morem vesh ishin efektiv te forcave speciale te marines detare grupit te bordingut qe nderhyn dhe e neutralizuan duke i hequr hanxharin qe mbante ne dor dhe i vun prangat dhe e mbajten te neutralizuar deri sa erdhen policia qe ben shoqerimin e tij. Ishte diku 300 m larg mbikalimit te rinasit. Ata cunat e ushtris ishin rastesisht aty. Ai kishte perplasur 4 automjete tjera dhe kishte dal me hanxhar ne dor dhe ndiqte njerezit e rastesishem aty”, thuhet në denoncimin e bërë nga qytetari.







