Duro: Patosi nuk është bashki me performancë të dobët, jemi te 10 më të mirat në vend
Kryebashkiaku i Patosit, Fation Duro, ka dalë hapur kundër propozimit për bashkimin e kësaj bashkie me Fierin, duke e cilësuar nismën të pajustifikuar përballë të dhënave zyrtare mbi performancën e institucionit që ai drejton.
Sipas Duros, raporti përfundimtar i Komisionit për Reformën Territoriale nuk e konsideron Patosin një bashki problematike, përkundrazi, e rendit atë ndër njësitë vendore me performancën më të mirë në vend.
Ai thekson se Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive (IFB), një tregues kyç që mat efikasitetin e administrimit vendor, e pozicionon Patosin në vendin e 10-të nga 61 bashki në rang kombëtar. Me një rezultat prej 71.7 pikësh, Patosi klasifikohet në nivel të lartë funksionaliteti, duke kaluar pragun prej 65 pikësh që konsiderohet standard i mirë nga vetë raporti.
Në analizën e tij, Duro rendit disa nga indikatorët kryesorë që përbëjnë këtë indeks, përfshirë autonominë fiskale, menaxhimin e buxhetit, mbulimin e funksioneve, eficiencën e stafit dhe nivelin e detyrimeve të prapambetura. Sipas tij, në të gjitha këto drejtime, Patosi paraqet stabilitet dhe performancë të qëndrueshme.
Kreu i bashkisë ngre pikëpyetje mbi logjikën e reformës, duke kujtuar se një nga arsyet zyrtare për bashkimin e njësive vendore është mungesa e kapaciteteve administrative dhe financiare te bashkitë e vogla. Në rastin e Patosit, ai argumenton se vetë të dhënat e raportit rrëzojnë këtë tezë.
Krahasimi me bashkitë e tjera të Qarkut Fier e përforcon këtë qëndrim. Sipas të dhënave zyrtare, Patosi lë pas jo vetëm bashkitë e tjera më të vogla, por edhe vetë Fierin, me një diferencë të ndjeshme në pikëzim.
Konkretisht, Patosi rezulton me mbi 16 pikë më shumë se Bashkia Fier, ndërsa renditet më lart se çdo bashki tjetër në qark. Ky fakt, sipas Duros, e bën të pakuptimtë propozimin për shkrirjen e një njësie vendore që performon më mirë se ajo që synon ta përthithë.
Në përfundim, ai kërkon transparencë dhe argumentim të qartë nga autoritetet përkatëse, duke ngritur një pyetje thelbësore: cili është dështimi konkret i Bashkisë Patos që justifikon heqjen e statusit të saj, kur treguesit zyrtarë e rendisin ndër më të mirat në Shqipëri?
Reagimi i Fation Duros:
Patosi nuk është bashki me performancë të dobët
Raporti përfundimtar i Komisionit nuk e paraqet Patosin si një bashki që nuk arrin të kryej funksionet e veta. Përkundrazi, në treguesit më të rëndësishëm, Patosi renditet ndër bashkitë më të mira të Shqipërisë.
Patosi është i dhjeti në Shqipëri për funksionalitetin
Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive, IFB, vlerëson elemente të tilla si:
autonomia fiskale;
ngurtësia e buxhetit;
mbulimi i funksioneve;
eficienca e stafit;
detyrimet e prapambetura.
Patosi merr 71,7 pikë dhe renditet i dhjeti ndër 61 bashkitë. Raporti e konsideron nivel të lartë çdo rezultat mbi 65 pikë.
Argumenti zyrtar për konsolidimin territorial është:
Bashkitë e vogla nuk kanë kapacitet administrativ dhe financiar të ushtrojnë funksionet.
Por në rastin e Patosit, vetë të dhënat e raportit tregojnë të kundërtën.
Krahasimi brenda Qarkut Fier
Rang vendi Bashkia Popullsia 2023 IFB
10 Patos 18.227 71,7
15 Roskovec 16.332 65,2
16 Lushnjë 63.135 65,0
23 Divjakë 24.882 59
32 Fier 101.963 55,4
40 Mallakastër 15.838 50,4
Të dhënat tregojnë se Patosi ka:
16,3 pikë më shumë se Fieri;
performancë më të lartë se çdo bashki tjetër e qarkut;
rezultat të lartë edhe në shkallë kombëtare.
Pra,
Bashkia që propozohet të shkrihet ka performancë funksionale më të mirë se bashkia që propozohet ta përthithë edhe performancë funksionale më të lartë se të gjitha bashkitë e tjera të Qarkut Fier.
Cili është dështimi konkret funksional i Bashkisë Patos që kërkon heqjen e statusit të saj, kur Indeksi zyrtar i vet Komisionit e rendit të dhjetën në vend dhe dukshëm mbi Bashkinë Fier me të cilën do të bashkohet?