E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banorët e Dimalit në protestë, dorëhiqet administratori i Kutallisë
Lajme

Banorët e Dimalit në protestë, dorëhiqet administratori i Kutallisë

Banorët e Dimalit kanë dalë sërish në protestë mbrëmjen e sotme, duke kundërshtuar ashpër Reformën Territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë Dimal dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat. Tubimi u zhvillua mes thirrjeve kundër vendimit dhe kërkesës për ruajtjen e identitetit administrativ të zonës.

Me pankarta në duar, qytetarët i bënë thirrje qeverisë që të tërhiqet nga ky projekt, duke theksuar se Dimali nuk është vetëm një njësi administrative, por një komunitet me identitet dhe potencial të fortë ekonomik. Sipas tyre, kjo zonë është ndër më produktivet në sektorin bujqësor në vend dhe çdo ndërhyrje e tillë do të dëmtojë drejtpërdrejt zhvillimin lokal.

Protestuesit u shprehën se bashkimi me Bashkinë Berat do të krijojë vështirësi të shumta, sidomos për fermerët dhe banorët e njësive administrative Kutalli, Cukalat dhe Poshnjë, të cilët do të përballen me më pak akses në shërbime dhe mbështetje institucionale.

Momenti më i fortë i protestës ishte deklarata e administratorit të Njësisë Administrative Kutalli, Miço Rakazia, i cili shpalli publikisht dorëheqjen nga detyra. Para qytetarëve të mbledhur, ai theksoi se vendimi i tij lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet e propozuara.

“Duke qenë se me këtë reformë nuk do të ketë më shërbime për qytetarët e Dimalit, jap dorëheqjen nga detyra”, u shpreh Rakazia, duke marrë mbështetjen e protestuesve.

Protesta në Dimal është pjesë e një vale reagimesh në disa zona të vendit kundër Reformës Territoriale, e cila po shoqërohet me kundërshti të forta nga komunitetet lokale që kërkojnë të ruajnë autonominë dhe funksionalitetin e bashkive të tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.