E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Njihuni me historinë e pemës së Krishtlindjes
Bota

Njihuni me historinë e pemës së Krishtlindjes

Nga ritualet e lashta te simboli i festave moderne

Çdo fundvit, në shumë shtëpi anembanë botës, vendosja e pemës shënon simbolikisht hapjen e festave. Edhe pse sot lidhet kryesisht me Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, kjo traditë ka rrënjë shumë më të hershme, që shtrihen nga qytetërimet e lashta e deri te Europa mesjetare.

Shumë përpara lindjes së krishtërimit, bimët me gjelbërim të përhershëm kishin një domethënie të veçantë për njerëzit, sidomos gjatë dimrit. Në një periudhë kur natyra dukej e vdekur, pemët që mbeteshin të gjelbra përfaqësonin shpresën, vazhdimësinë e jetës dhe rikthimin e pranverës.

Popujt e lashtë zbukuronin shtëpitë e tyre duke vendosur degë të gjelbra mbi dyer dhe dritare, njësoj siç bëhet sot me dekorimet festive. Në disa kultura ekzistonte edhe besimi se këto bimë kishin fuqi mbrojtëse, duke larguar shpirtrat e këqij, sëmundjet dhe fatkeqësitë.

Solstici dimëror, që shënon ditën më të shkurtër dhe natën më të gjatë të vitit në hemisferën veriore, binte më 21 ose 22 dhjetor dhe kishte një rëndësi të veçantë për qytetërimet e hershme. Shumë prej tyre besonin se dielli ishte një hyjni që “dobësohej” gjatë dimrit dhe rikuperonte fuqinë me afrimin e pranverës. Për këtë arsye, shtëpitë mbusheshin me bimë të gjelbra, si simbol i jetës që do të ringjallej.

Në Egjiptin e Lashtë, adhurimi i perëndisë Ra, zotit të diellit, lidhej ngushtë me këtë periudhë. Gjatë solsticit, egjiptianët dekoronin ambientet me palma dhe kallamishte papirusi, të cilat përfaqësonin fitoren e jetës mbi vdekjen dhe rikthimin e energjisë së diellit.

Forma e pemës së Krishtlindjes, ashtu siç njihet sot, mendohet se ka origjinë gjermane. Në shekullin XVI, familjet e krishtera në Gjermani nisën të sillnin pemë të zbukuruara brenda shtëpive. Një rol të veçantë në këtë traditë i atribuohet Martin Lutherit, figurë qendrore e Reformës Protestante, i cili sipas legjendës ishte i pari që vendosi qirinj të ndezur mbi pemë. Thuhet se ai u frymëzua nga pamja e yjeve që ndriçonin mes degëve të gjelbra gjatë një nate dimri dhe u përpoq ta sillte këtë skenë magjike brenda shtëpisë së tij.

Me kalimin e kohës, pema festive u përhap në mbarë botën dhe u kthye në një simbol universal të fundvitit. Në Shqipëri, ajo njihet kryesisht si pema e Vitit të Ri dhe është bërë pjesë e pandashme e festimeve, duke kapërcyer kufijtë fetarë dhe duke u përqafuar gjerësisht si shenjë gëzimi, bashkimi dhe shprese për vitin që vjen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.