Non Grata e hequr, komplimente qytetarit Berisha, kujtesë për politikanët
“Unë erdha! U krye”, tha Sali Berisha duke njoftuar heqjen e sanksioneve amerikane që e ndalonin atë të udhëtonte drejt Tokës së Premtuar. Nuk ka pikë rëndësie sesi u arrit, që në një segment kohor prej pesë vjetësh, Sali Berisha, njeriu i qindra betejave politike të fituara a të humbura, arriti të fitojë luftën e jetës së tij. Ato janë vetëm detaje për një nga dy njerëzit me dritëhijet më të forta të tranzicionit shqiptar. Thelbi qëndron në aktin e parë pesë vjet më parë dhe aktin e fundit tani në 11 qershor 2026.
“U krye!”, tha Sali Berisha për plumbin e nisur në tjetër objektiv dhe ndryshoi trajektore drejt tij. Deputetët e tij e duartrokitën, kurse socialistët qëndruan ulur, me sytë në prehër. U ndjenë të fituar ata që e përkrahën që në ditën “Zero” nga demokratët, por edhe ata që besuan se ishte ndarë përfundimisht nga Ati i tyre.
Të tendosur nga protestat e pandërprera antiqeveritare, socialistët u ndjenë të grabitur nga ajo që dikur e konsideronin dhuratë amerikane. Por asnjëra palë dhe as tjetra, me shumë gjasë as vetë Sali Berisha dhe Edi Rama, nuk kuptuan atëherë në majin e largët 2021 se Non Grata e tij ishte një njollë turpi për gjithë Shqipërinë. Vendin që shihte sesi një ish-president e ish-kryeministër i saj sanksionohej nga aleati stategjik i vendit, SHBA-ja.
Më shumë se një akt që godiste individin, ai ishte sanksionimi i qasjes bolshevike të udhëheqësve të pluralizmit shqiptar ndaj pushtetit. I raportit vetjak që ata ndërtonin me pushtetin si qëllim në vetvete dhe jo si një mjet për të realizuar qëllime të mira! Ky ishte leksioni që ndoshta nuk u kuptua kurrë në Tiranë. As atëherë! As tani! Dhe duke triumfuar ne kete lufte, ndoshta politikani veteran Berisha, me ne fund do te mposhte Saliun egoist. Do te largohet per te cliruar partine e vet nga bagazhi i mekateve qe lidhen me emrin e tij dhe t’i hape udhe mundesise ende te larget per te qene alternative per ne pushtet.
Ndoshta është koha që përtej stofit të vjetër të sovranistëve që kërkojnë të rihyjnë në modë, neomarksistëve të ringjallur, antiamerikanëve të fshehur dhe ekstremistëve të çdo skaji, Tirana të rigjykojë rolin e saj të kushtëzuar nga pesha modeste e saj, në një botë gjithmonë e më të ndërlikuar. Që të vlerësojë me realizëm dhe jo me patetizëm e megalomani ballkanase vendin e saj në botë. Dhe të pranojë si aksiomë, një të vërtetë të thjeshtë: “Amerika ka të drejtë edhe atëherë kur në këtë skaj të largët të Ballkanit, mund të duket ndryshe!”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



