Nuk i’u përgjigj telefonatave, 67-vjeçari nga Korça gjendet i pajetë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Korçë, ku një 67-vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda banesës së tij.

Sipas informacioneve paraprake, i moshuari jetonte i vetëm, ndërsa ka qenë mbesa e tij ajo që ka njoftuar policinë, pasi nuk kishte arritur të lidhej me të prej disa ditësh. Pas mbërritjes në vendngjarje, autoritetet kanë konstatuar se trupi i viktimës nuk paraqiste shenja dhune.

Nga verifikimet e para dyshohet se 67-vjeçari, i cili mësohet se ishte ish-mësues, mund të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrore. Megjithatë, për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes, pritet përfundimi i ekspertizës mjekoligjore.

Policia ka nisur procedurat përkatëse dhe po heton rrethanat e plota të ngjarjes, me qëllim përjashtimin e çdo dyshimi të mundshëm.

Ky rast rikthen në vëmendje një tjetër ngjarje të ndodhur pak ditë më parë në fshatin Bulgarec, ku 78-vjeçari Gëzim Vija u gjet fillimisht i pajetë në banesë dhe u dyshua për vdekje natyrore. Por hetimet e mëvonshme zbuluan se ai ishte viktimë e një krimi, pasi rezultoi se ishte goditur në kokë me mjete të forta.

Ngjarja e fundit në Korçë mbetet ende nën hetim, ndërsa autoritetet presin rezultatet zyrtare për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes.

Publikuar nga Publik Media