Nuk referoi aksidentet në prokurori, ky është efektivi i Policisë që u pezullua nga detyra
Një efektiv policie në qytetin e Durrësit është pezulluar nga detyra me urdhër të gjykatës, pasi akuzohet për shpërdorim detyre.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme bën me dije se efektivit Florian Skura, me detyrë specialist shërbimi dhe oficer i Policisë Gjyqësore në sektorin e qarkullimit rrugor pranë Drejtorisë së Policisë Durrës, ka shpërdoruar detyrën, duke mos referuar materialet hetimore gjatë punës së tij në Prokurorinë e Durrësit.
Burimet bëjnë me dije se efektivi gjatë ndjekjes në terren të aksidenteve rrugore i ka mbyllur ato, dyshohet kundrejt pagesës, pa i referuar ato në organet e mëtejshme të hetimit.
“Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës ka ekzekutuar vendimin penal të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të Policisë pranë DVP Durrës, nënkomisar F. S., i dyshuar për ‘Shpërdorim detyre’.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka marrë vendimin penal duke caktuar masën e sigurimit ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre e funksioni publik’ për shtetasin F. S., 30 vjeç, me detyrë specialist shërbimi dhe OPGJ në sektorin e qarkullimit rrugor pranë DVP Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementet e veprës penale ‘Shpërdorim detyre’.
Ky punonjës dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në raste të përsëritura nuk ka kryer veprime të plota hetimore sipas nenit 293/1 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe neneve 18, 23 të ligjit për Policinë e Shtetit dhe Rregullores së Policisë së Shtetit, duke mos i referuar materialet procedurale pranë Prokurorisë, por duke i trajtuar në mënyrë administrative”, thuhet në njoftim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



