ODIHR publikon raportin final për zgjedhjet e 11 majit
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri u zhvilluan në një klimë të fortë polarizimi politik, ku garuesit nuk patën mundësi të barabarta për të konkurruar. Ky është përfundimi kryesor i raportit të organizatës ndërkombëtare për monitorimin e zgjedhjeve, ODIHR.
Sipas raportit, fushata u zhvillua kryesisht lirshëm, por disa kandidatë u përballën me intimidime dhe presion, sidomos punonjësit e administratës publike. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve shtetërore, duke krijuar avantazhe të padrejta ndaj kundërshtarëve.
Administrata zgjedhore menaxhoi procesin me transparencë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe votimin jashtë vendit, i cili u organizua për herë të parë, megjithëse me disa probleme organizative.
Raporti evidenton se legjislacioni zgjedhor nuk është mjaftueshëm efektiv për të parandaluar abuzimet, ndërsa përqendrimi i pronësisë së mediave dhe autocensura në gazetari kanë kufizuar aksesin e zgjedhësve në informacion të paanshëm. Në rrjetet sociale, diskursi politik ishte shumë konfrontues, por nuk u mor asnjë masë për përmbajtjen manipulues.
Një tjetër shqetësim i raportuar ishte ndikimi i elementëve kriminalë në disa parti dhe përdorimi i rrjeteve të patronazhimit për të ndikuar votuesit, duke cenuar standardet ndërkombëtare zgjedhore.
Nga ana teknike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizoi procesin në mënyrë efikase dhe transparente, megjithëse pati perceptime për politizim në përbërjen e tij dhe probleme në qendrat e votimit, sidomos për personat me aftësi të kufizuara.
Sistemi i ri zgjedhor me lista të mbyllura dhe preferenciale favorizon partitë më të mëdha dhe kufizon ndikimin e votës së qytetarëve, por Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar kushtetues.
Raporti thekson nevojën për reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe vullnet politik për adresimin e sfidave që pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi patën mundësinë të bëjnë fushatë lirshëm, megjithëse disa raportuan se u përballën me intimidim. Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Votimi jashtë vendit, i realizuar për herë të parë në këto zgjedhje, u menaxhua mirë, pavarësisht dakordësimit politik dhe miratimit të vonë të kësaj mase, si dhe disa problemeve organizative. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë për kandidatët që ishin ndërkohë në detyrë. Gjithashtu, pati shumë akuza për presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike.
Për më tepër, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk parandaluan praktikat abuzive. Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralitetin e burimeve të lajmeve, së bashku me autocensurën mes gazetarëve dhe dominimin e mbulimit mediatik nga dy partitë më të mëdha, kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të bërë një zgjedhje të informuar. Përdorimi aktiv i rrjeteve sociale nga garuesit amplifikoi diskursin e fortë konfrontues dhe asnjë autoritet nuk u caktua për të identifikuar përmbajtjen manipuluese të dëmshme. Mekanizmi i ri i koordinimit mes institucioneve për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore është një zhvillim pozitiv, por nevojitet zbatim i mëtejshëm për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme lidhur me praktikat e gabuara zgjedhore. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e organizuar mirë, por pati shpesh mosrespektim të procedurave dhe procesi u karakterizua nga një numër incidentesh intimidimi të zgjedhësve dhe ndikimi te ta, si dhe mangësi gjatë numërimit të votave lidhur me procedurat dhe transparencën.
Kuadri ligjor ofron një bazë të mjaftueshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, pavarësisht nga nevoja e vazhdueshme për një reformë të gjerë zgjedhore përmes konsultimeve publike gjithëpërfshirëse. Mangësitë dhe paqartësitë e vërejtura zvogëlojnë qartësinë e kuadrit ligjor dhe krijojnë pasiguri në zbatimin e frymës dhe germës së ligjit. Ndonëse disa rekomandime të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës janë adresuar, shumica e rekomandimeve të bëra prej kohësh, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me përbërjen e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, raportimin e ndërmjetëm mbi financimin e fushatës, dhe sigurimin e një klime të favorshme mediatike, si dhe me heqjen e përgjegjësisë penale për shpifjen, nuk janë adresuar, duke treguar mungesë të vullnetit politik për reforma gjithëpërfshirëse.
Parlamenti zgjidhet përmes një sistemi të modifikuar zgjedhor me lista të mbyllura dhe lista preferenciale të kandidatëve, i cili u miratua para këtyre zgjedhjeve. Sipas disa partive më të vogla, ky sistem favorizon dy partitë më të mëdha dhe kufizon ndikimin e votimit preferencial, duke u dhënë mundësi drejtuesve të partive që të vazhdojnë të ruajnë një kontroll domethënës mbi përfaqësimin parlamentar, pjesërisht për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme të partive. Pavarësisht këtyre argumenteve që disa prej këtyre partive paraqitën para Gjykatës Kushtetuese, Gjykata vendosi që ky sistem është kushtetues.
Në përgjithësi, përgatitjet teknike për zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë efiçente, transparente, sipas afateve të vendosura dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Megjithatë, disa aktorë i perceptuan si të politizuar disa anëtarë të KQZ-së. Mbledhjet e KQZ-së ishin të hapura për vëzhguesit dhe u transmetuan drejtpërdrejt. Sfidat në organizimin e votimit jashtë vendit ishin të konsiderueshme dhe u vunë re disa probleme me dërgimin me postë të fletëve të votimit;
Megjithatë, procesi u menaxhua përgjithësisht mirë. Komisionet e niveleve më të ulëta e menaxhuan procesin në mënyrë efiçente dhe transparente, pavarësisht disa ndërprerjeve të shkaktuara nga zëvendësimi me vonesë i anëtarëve të caktuar nga partitë politike, sidomos anëtarëve të qendrave të votimit në ditët para zgjedhjeve. KQZ-ja bëri përpjekje të përmirësonte aksesueshmërinë në qendrat e votimit për personat me aftësi të kufizuara, por në ditën e zgjedhjeve vëzhguesit raportuan disa probleme me aksesueshmërinë në disa qendra.
Shqipëria vazhdon të përdorë teknologjinë në zgjedhje përmes përdorimit të identifikimit biometrik të zgjedhësve dhe pilotimit të votimit elektronik. Votimi elektronik u zhvillua në dy zona, kurse identifikimi biometrik u përdor në të gjitha qendrat e votimit. Duke ndjekur praktikën e mirë zgjedhore, KQZ-ja reduktoi varësinë nga ofruesi i pajisjeve të identifikimit biometrik dhe votimit elektronik dhe përdorimi i teknologjisë u dokumentua dhe menaxhua si duhet në mënyrë transparente dhe të qëndrueshme. Partitë politike dhe media patën akses të plotë për të vëzhguar funksionimin e pajisjeve të identifikimit dhe votimit elektronik, por KQZ-ja nuk publikoi informacion lidhur me testimet e sigurisë, duke përfshirë qëllimin dhe metodat e përdorura në këto testime. Bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it shprehën përgjithësisht besim te teknologjia, por pati edhe shqetësime të shprehura lidhur me këtë kryesisht nga opozita.
Në regjistrin e zgjedhjeve ishin 3.7 milion zgjedhës, duke përfshirë 245,935 zgjedhës të regjistruar jashtë vendit për të votuar me postë. Subjektet zgjedhore kishin të drejtën të kërkonin kopjen e plotë të listës së zgjedhësve, gjë që rriti transparencën e procesit të regjistrimit të zgjedhësve, pavarësisht nga shqetësimet që kjo mund të krijojë lidhur me privatësinë e të dhënave. Zgjedhësve iu dhanë mundësi të mjaftueshme për të rishikuar informacionin në listën e zgjedhësve, si fizikisht, ashtu edhe online. Sa i përket votimit nga jashtë vendit, pavarësisht nga fushata e zgjeruar e KQZ-së për informimin e zgjedhësve dhe vendimi për të pranuar dokumente shqiptare biometrike të identifikimit, të cilave u kishte kaluar afati i vlefshmërisë, rreth 41,000 kërkesa për regjistrim u desh të refuzoheshin për shkak të mosparaqitjes së një dokumenti të përshtatshëm që vërtetonte vendbanimin e kërkuesit. Në përgjithësi, procesi i regjistrimit të zgjedhësve ishte transparent, listat e zgjedhësve u konsideruan gjithëpërfshirëse dhe përgjithësisht të sakta, dhe zgjerimi i të drejtës për të votuar për të mundësuar edhe votimin jashtë vendit, shënuan një hap përpara drejt pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhje.
KQZ-ja regjistroi tetë parti dhe tre koalicione brenda afatit ligjor dhe miratoi 2,046 kandidatë gjithsej në një proces gjithëpërfshirës. Verifikimi i kandidatëve çoi në heqjen e 16 prej tyre për shkak të rekordeve kriminale, gjë që në asnjë rast nuk u kontestua dhe partitë patën mundësinë t’i zëvendësonin. Detyrimi ligjor i subjekteve zgjedhore për të dorëzuar lista të plota kandidatësh, të hapura dhe të mbyllura, për të gjitha zonat zgjedhore në të gjithë vendin ndikoi në mundësinë e tyre për të garuar.
Në përgjithësi, fushata ishte e qetë, por pavarësisht nga kjo, u karakterizua nga një diskurs konfrontues dhe polarizues, veçanërisht online dhe sidomos mes dy partive politike kryesore dhe drejtuesve të tyre. Kandidatët, në shumicën e rasteve, ishin në gjendje ta zhvillonin fushatën lirisht, por mundësitë e garimit nuk ishin të barabarta. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe bërjen publike vetëm pak kohë para ditës së zgjedhjeve të faljes së një numri të madh gjobash, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë. Pati pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publike, raste intimidimi të mbështetësve të opozitës, si dhe përdorim të rrjeteve të patronazhimit, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Çështje të tjera shqetësuese përfshijnë raportimet për shit-blerje votash, tentativat për të ndikuar pa të drejtë tek zgjedhësit e marxhinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminalë në disa parti politike.
Zhvillimi i fushatës në rrjetet sociale nuk ishte i rregulluar me ligj dhe nuk u caktua asnjë autoritet për monitorimin e saj. Pavarësisht se shumica e partive politike nënshkruan një Kod Etike për Fushatat Dixhitale, disa kandidatë shpërndanë përmbajtje përçarëse ose manipuluese, ndërkohë që disa llogari palësh të treta raportohet se përdorën një sjellje të koordinuar joautentike në platformat online për të amplifikuar sulmet ndaj opozitës. Kandidatët përdorën në mënyrë aktive rrjetet Facebook dhe Instagram. Ndalimi nga qeveria i platformës TikTok që prej 6 marsit kufizoi mundësitë e disa kandidatëve për fushatë. Megjithëse KQZ-ja identifikoi shkelje në disa postime të institucioneve publike, ajo i ndërpreu hetimet në një numër të vogël rastesh, dhe përpjekjet e saj monitoruese mbetën përgjithësisht të kufizuara sa i përket fushës së mbulimit dhe efikasitetit.
Pjesëmarrja e grave në politikë është rritur vitet e fundit e megjithatë ecja e tyre përpara vazhdon të pengohet nga barrierat e rrënjosura strukturore, sidomos nga niveli i ulët të demokracisë së brendshme dhe mundësitë e kufizuara për financim. Megjithëse gratë zënë aktualisht gjysmën e posteve ministrore, ato mbajnë vetëm 36 për qind të vendeve në parlament dhe mbeten të papërfaqësuara sa duhet në organet zgjedhore kyçe, me vetëm tre anëtare gra nga 12 anëtarë që ka KQZ-ja gjithsej dhe 31 për qind të anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), me një numër të vogël grash në role drejtuese. Gjithsej, 38.5 për qind e kandidatëve të regjistruar ishin gra, duke përmbushur kuotën prej 30 për qind, gjë që tregon nevojën për një vullnet më të madh politik për promovimin e pjesëmarrjes së grave.
Që prej vitit 2020, në financimin e fushatës zgjedhore janë bërë vetëm disa ndryshime të kufizuara. Rekomandimet kyçe të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias vazhdojnë të mbeten të pazbatuara dhe mangësitë në kuadrin rregullator ndikojnë në transparencën e financimit të fushatës dhe në barazinë e mundësive për partitë dhe kandidatët. Mangësitë në këtë kuadër, si përjashtimi i shpenzimeve të kandidatëve nga kufiri i shpenzimeve të partisë apo mosrregullimi specifik për huatë, fushatat online, shpenzimet e palëve të treta, mund të lënë hapësirë për anashkalim të rregullave. Megjithëse kërkohet me ligj, asnjë prej kandidatëve nuk bëri publike të dhëna lidhur me donacione apo hua dhe KQZ-ja nuk mund të ndërmerrte ndonjë veprim për shkak se nuk ka instrumente ligjore për të siguruar zbatueshmërinë e dispozitave ligjore përkatëse. Mungesa e raportimit të ndërmjetëm dhe shqetësimet lidhur me efikasitetin e auditimit e ulin edhe më shumë transparencën dhe llogaridhënien në financimin e fushatës.
38 Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike mbështeti KQZ-në me testime të sigurisë, vlerësime teknike dhe rekomandime për përmirësim, duke u fokusuar veçanërisht në vitin 2025 tek siguria e platformave të regjistrimit OCV dhe të dhënave personale të zgjedhësve nga diaspora. Megjithëse disa institucione kanë qenë në shënjestër të disa sulmeve kibernetike të motivuara politikisht vitet e fundit, bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it nuk raportuan ndonjë shqetësim lidhur me ndërhyrjet kibernetike nga jashtë vendit në këto zgjedhje.
Kodi Zgjedhor nuk parashikon ndonjë detyrim për auditim apo certifikim të pavarur të teknologjisë. Megjithatë, përveç testimeve të brendshme, nga një kontraktor u bënë edhe testimet e sigurisë së serverëve të KQZ-së, faqes së saj të internetit dhe pajisjeve të identifikimit biometrik dhe votimit elektronik, në përputhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it. Përveç informacionit në tenderët publikë, KQZ-ja nuk bëri publike informacione të tjera në lidhje me testimet e sigurisë. Megjithëse është e kuptueshme që KQZ-ja të mos nxjerrë informacione të ndjeshme lidhur me sigurinë, ajo nuk komunikoi në mënyrë transparente qëllimin, metodologjinë dhe një përmbledhje të rezultateve të këtyre testimeve.
Regjistrimi i zgjedhësve
Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç në ditën e zgjedhjeve kanë të drejtën e votës. Shtetasit që me vendim gjykate janë shpallur të paaftë ligjërisht nuk kanë të drejtë të votojnë, çka bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare që ndalojnë diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar.
Shtetasit që janë duke vuajtur një dënim me burg për kryerjen e veprave të caktuara penale nuk kanë të drejtë të votojnë.
Regjistrimi i zgjedhësve për të votuar brenda vendit bëhet në mënyrë pasive, duke u bazuar tek regjistri i gjendjes civile. Në përgjithësi, regjistrimi i zgjedhësve ishte transparent, dhe aktorët e ndryshëm zgjedhorë patën besim tek gjithëpërfshirja dhe saktësia e përgjithshme e listave të zgjedhësve. Megjithatë, për të siguruar saktësinë e listave të zgjedhësve dhe për të kufizuar në lista numrin e personave që nuk jetojnë më, zgjedhësit që kanë mbushur moshën 100 vjeç hiqen automatikisht nga listat dhe që të futen përsëri duhet të konfirmojnë statusin e tyre, gjë që mund të përbëjë një barrë të panevojshme për këta zgjedhës. Përveç kësaj, zgjedhësit mund të hiqen nga regjistri kombëtar vetëm në rast vdekjeje ose me kërkesën e tyre.
Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të kërkojnë kopjen e plotë të listës së zgjedhësve, gjë që rriti transparencën e procesit të regjistrimit të zgjedhësve, pavarësisht nga shqetësimet që kjo mund të ngrejë lidhur me privatësinë e të dhënave. Zgjedhësve iu dhanë mundësi të mjaftueshme deri në ditën e zgjedhjeve për të rishikuar informacionet e tyre në listën e zgjedhësve, si fizikisht ashtu edhe online.
Siç e kërkon ligji, KQZ-ja emëroi dy auditues për të vlerësuar saktësinë e listave të zgjedhësve si për zgjedhësit brenda, ashtu edhe për zgjedhësit jashtë vendit. Audituesit rishikuan çdo muaj caktimin e zgjedhësve në qendra votimi, duke filluar gjashtë muaj para ditës së zgjedhjeve dhe raportuan se ky proces u menaxhua me sukses. KQZ-ja publikoi më 2 prill listat përfundimtare të zgjedhësve me 3,713,761 zgjedhës të regjistruar, duke përfshirë edhe zgjedhësit që jetonin jashtë vendit.
Zgjedhësit që kanë të drejtë vote dhe që kanë një leje zyrtare qëndrimi jashtë vendit, mund të regjistrohen për VJV. Pas një fushate të gjerë informimi të zgjedhësve që kishte në fokus diasporën, KQZ-ja bëri regjistrimin e zgjedhësve nga 11 janari deri në 4 mars. Zgjedhësit duhet të ngarkonin dokumentin e tyre biometrik të identitetit të lëshuar pas 2009-ës, lejen e qëndrimit të lëshuar nga një autoritet në vendin e qëndrimit dhe një dokument që vërtetonte adresën e vendbanimit, që mund të ishte një faturë shërbimesh ose një deklaratë bankare në rast se adresa nuk shënohej në lejen e qëndrimit.
Fillimisht, KQZ-ja kërkoi dokumente shqiptare identiteti të vlefshme, por e ndryshoi më pas këtë vendim me qëllim që t’u jepte mundësinë të regjistroheshin edhe personave, dokumenteve të identitetit të të cilëve u kishte mbaruar afati. Lista përfundimtare e zgjedhësve jashtë vendit u publikua më 11 mars, me 245,935 zgjedhës nga 85 vende. Rreth 41,000 persona që kishin kërkuar të regjistroheshin u refuzuan kryesisht për shkak të mosparaqitjes së një lejeje zyrtare qëndrimi ose një dokumenti që vërtetonte adresën e tyre në vendin ku jetonin, siç ishte përcaktuar nga KQZ-ja.
Ligji kërkon që zgjedhësit me të drejtë vote, për të votuar, duhet të paraqesin një pasaportë biometrike ose një kartë identiteti të vlefshme. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm shtetasish, disa prej të cilëve banojnë dhe votojnë brenda vendit, kanë dokumente identifikimi të cilave u ka mbaruar afati, një çështje që është vërejtur edhe në zgjedhje të mëparshme. Më 7 maj, Këshilli i Ministrave zgjati vlefshmërinë e të gjitha dokumenteve biometrike të identifikimit deri më 31 maj, duke u mundësuar kështu zgjedhësve të prekur nga kjo çështje që të votonin.
Regjistrimi i kandidatëve
Të drejtën për të kandiduar në zgjedhje e ka çdo zgjedhës me të drejtë vote, përveç atyre që janë duke vuajtur një dënim me burg në bazë të një vendimi gjykate të formës së prerë për kryerjen e veprave të caktuara penale. Gjithashtu, në Kushtetutë përcaktohen disa kategori zyrtarësh, pozicionet e të cilëve konsiderohen se bien ndesh me të drejtën për të kandiduar në zgjedhje.
Kandidatët mund të caktohen nga parti dhe koalicione që janë regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore ose mund të garojnë si të pavarur. KQZ-ja i regjistroi të teta partitë politike dhe tre koalicionet që paraqitën dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të 12 marsit. Nga këta, vetëm një prej tyre, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare, drejtohet nga një grua. Partitë dhe koalicionet ishin të detyruara të paraqisnin dy lloje listash kandidatësh, një listë të mbyllur me renditje të paracaktuar të kandidatëve dhe një listë më vete për votim preferencial, ku kandidatët renditën sipas rendit alfabetik. Kandidatët nuk mund të vendosen në disa zona zgjedhore njëherësh apo në të dyja llojet e listave. Në përputhje me një rekomandim të mëhershëm të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, u hoq mundësia që drejtuesit e partive të konkurronin në disa zona zgjedhore. Disa parti më të vogla dhe disa parti të pakicave e informuan MVZ-në e ODIHR-it se e kishin pasur të vështirë të identifikonin një numër të mjaftueshëm kandidatësh në të gjitha zonat. Megjithëse mosparaqitja e një numri të mjaftueshëm kandidatësh në një zonë mund të çojë në mosregjistrimin si subjekt zgjedhor, të njëmbëdhjetë subjektet zgjedhore dorëzuan dokumentacionin e kërkuar ligjor dhe u regjistruan. Në përgjithësi, bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it nuk ngritën shqetësime lidhur me procesin e regjistrimit.
KQZ-ja regjistroi 2,046 kandidatë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kodi Zgjedhor kërkon që një në çdo tre kandidatë në të dyja listat të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar. Në total, 787 (38.47 për qind) ishin gra, që është shumë pak mbi minimumin ligjor, megjithëse të gjitha listat e kandidatëve qenë në përmbushje të detyrimit të parashikuar me ligj. Në këto zgjedhje nuk u paraqit për regjistrim asnjë kandidat i pavarur. Gjatë verifikimit të kandidatëve, KQZ-ja hoqi 16 kandidatë nga listat e partive të ndryshme, të gjitha të bazuara në informacione të dhëna në formularët e vetëdeklarimit të kandidatëve në lidhje me rekordet e tyre kriminale dhe të konfirmuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Mjedisi i fushatës
Fushata zyrtare filloi më 11 prill dhe vazhdoi deri 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Fushata ishte në përgjithësi e qetë, e fokusuar në aktivitete të vogla me pjesëmarrje fizike, vizita derë më derë dhe postime në rrjetet sociale. PS-ja dhe PD-ja organizuan disa aktivitete më të mëdha, bashkë me një numër të kufizuar tubimesh nga partitë më të vogla. Disa nga çështjet që u ngritën gjatë fushatës përfshinin sigurimin e anëtarësimit në BE, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe forçimin e institucioneve demokratike. Toni i fushatës ishte shpesh konfrontues, me sulme personale midis dy partive kryesore dhe drejtuesve të tyre. PS-ja synonte të diskreditonte opozitën, kurse PD-ja akuzonte qeverinë për korrupsion dhe për lidhje me grupe të krimit të organizuar.
Megjithëse kandidatët patën përgjithësisht mundësinë të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe zgjedhësit mundësinë të zgjidhnin mes alternativave të ndryshme politike, mundësitë ishin të pabarabarta, në kushtet që partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative dhe pushteti institucional. Ligji e ndalon përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime të fushatave të kandidatëve në zgjedhje, por i lejon ata që bëjnë fushatë që të kryejnë detyrat e tyre zyrtare gjatë fushatës. Konkretisht, pak kohë para periudhës së fushatës dhe gjatë saj, ministrat dhe Kryeministri u angazhuan në aktivitete zyrtare, bënë inspektime të disa objekteve, promovuan disa investime dhe projekte infrastrukturore, duke kontribuar në përgjithësi në avantazh të partisë në pushtet dhe, hera-herës, duke bërë fushatë haptazi.
Me ligj, për katër muaj para ditës së zgjedhjeve, nuk lejohet propozimi apo miratimi i asnjë akti ligjor, nga i cili përfitojnë segmente specifike të popullsisë. Megjithëse ligji formalisht u respektua, disa politika të miratuara para kësaj periudhe çuan në përfitime për disa grupe zgjedhësish gjatë periudhës zgjedhore dhe po gjatë kësaj periudhe u mbajtën disa aktivitete me përmasa të mëdha. Më 9 maj, me qëllimin, në dukje, që të ndikonte tek zgjedhësit, qeveria vendosi të falte gjobat për ndërtime pa leje, shkelje të kufizimeve të vendosura lidhur me COVID-19, si dhe gjoba të vendosura fermerëve dhe blegtorëve në periudhën 2015-2024. Përveç kësaj, institucionet publike dhe organet shtetërore janë të detyruara të raportojnë në KQZ çdo aktivitet publik për katër muajt para ditës së zgjedhjeve, të cilat KQZ-ja mund të vendosë t’i ndalojë si shpërdorim të mundshëm të burimeve shtetërore. Nga 4,522 aktivitetet zyrtare të regjistruara gjatë kësaj periudhe, KQZ-ja ndaloi vetëm 18 si aktivitete që kishin të bënin me shpërdorimin e burimeve shtetërore, duke ngritur dyshime rreth kapacitetit të saj për shqyrtimin e të gjitha aktiviteteve të raportuara dhe qasjes së saj të ngushtë në interpretimin e ligjit në këtë aspekt. Megjithëse shumica e këtyre aktiviteteve ishin formalisht në përputhje me dispozitat ligjore, numri i madh i tyre i dha mundësi partisë në pushtet t’i shfrytëzonte për qëllime fushate, sidomos në zonat ku zyrtarë të lartë të qeverisë shërbyen si koordinatorë të PS-së. Përdorimi i gjerë i këtyre aktiviteteve publike për qëllime zgjedhore, përforcoi edhe më shumë avantazhin e padrejtë të partisë në pushtet, dhe e mjegulloi vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë, në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990.
KQZ-ja mund t’i hetojë shkeljet administrative lidhur me zgjedhjet ex officio ose në bazë të ankesave të paraqitura online ose nga çdo palë e interesuar. Nga 139 ankesa të tilla të marra nga KQZ-ja, një pjesë e konsiderueshme kishin të bënin me burimet shtetërore, shtrimin e rrugëve, partneritetet e ndaluara publik-privat dhe fillimin e dhënies së asistencës sociale, subvencioneve dhe tenderët e prokurimit publik, të bëra në lidhje me titullarët e institucioneve publike, kryetarët e bashkive dhe ministrat. Në shumicën e vendimeve të marra deri më 9 maj për këto çështje, KQZ-ja konstatoi se, duke qenë se buxhetet ishin caktuar që përpara se të fillonte periudha katër-mujore, këto masa nuk përbënin shkelje të ligjit, dhe në 37 raste, KQZ-ja nuk nisi hetim administrativ. Në total, KQZ-ja mori vendim vetëm për 118 të ankesave deri në ditën e zgjedhjeve. Mungesa e një procedure të përshpejtuar për shqyrtimin e ankesave ngre shqetësime për eficencën e sistemit aktual të hetimit dhe vendimmarrjes në lidhje me kundërvajtje administrative nga KQZ-ja lidhur me zgjedhjet.
Në MVZ-në e ODIHR-it mbërritën disa pretendime dhe raportime, sipas të cilave punonjësve të bashkive u bëhej presion nga eprorët për të marrë pjesë ose për të mbështetur fushatën e PS-së. Megjithëse PS-ja organizoi një sërë aktivitetesh fushate që kishin në qendër gratë, edhe në këto aktivitete u ngritën shqetësime se disa nga pjesëmarrësit ishin aty, sepse ishin udhëzuar nga punëdhënësit e tyre në sektorin publik që të merrnin pjesë. Shumë bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime rreth ndikimit të rrjeteve të patronazhimit në të gjithë vendin, duke pretenduar se për të siguruar vota, ata përdornin si mjet premtimet për punësim në sektorin publik, favore administrative dhe leje të ndryshme. MVZ-së së ODIHR-it iu raportuan edhe raste zgjedhësish që pretendonin se kishin frikë nga hakmarrja nëse shiheshin në aktivitete të partive opozitare dhe raste të intimidimit të kandidatëve të opozitës dhe të disa kandidatëve të partisë në pushtet. Disa bashkëbisedues u shprehën se veçanërisht të prekshme nga presioni i ushtruar nga administrata publike për të votuar për PS-në ishin komunitetet e marxhinalizuara. Kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare, sipas të cilave zgjedhësit duhet të jenë të lirë, pa u shtrënguar dhe pa u ndikuar në mënyrë të panevojshme.
Gjatë fushatës u vërejtën disa pretendime për shit-blerje votash dhe në 37 raste nisi hetimi. Një numër bashkëbiseduesish të MVZ-së së ODIHR-it ngritën pretendime për lidhje mes partive politike dhe krimit të organizuar në disa zona, intimidim dhe kërcënim nga ana e grupeve të krimit të organizuar ndaj zgjedhësve dhe, ndonjëherë, edhe ndaj kandidatëve.
Fushata në rrjetet sociale nuk është e rregulluar shprehimisht dhe nuk ka asnjë autoritet rregullator të ngarkuar me ligj për monitorimin e aktiviteteve të fushatës në rrjetet sociale dhe për të identifikuar rastet e dizinformimit, përmbajtjeve manipuluese apo të shfaqjes së sjelljeve joautentike. Megjithatë, KQZ-ja ngriti një njësi të posaçme për monitorimin e llogarive në rrjetet sociale të 50 institucioneve publike gjatë fushatës dhe e trajnoi këtë njësi lidhur me identifikimin e keqinformimit në lidhje me zgjedhjet. Në bazë të këtij monitorimi, nga 11 prilli deri në 9 maj, KQZ-ja konstatoi 10 postime të institucioneve publike që ishin potencialisht në shkelje të ligjit dhe i referoi ato për hetim administrativ. Në disa raste të ngjashme të paraqitura në KQZ në lidhje me përdorimin e llogarive zyrtare të institucioneve publike për fushatë, KQZ-ja zgjodhi të ndalojë hetimet. KQZ-ja bëri disa përpjekje për t’u koordinuar me platformën Meta, por kjo nuk çoi në ngritjen e një mekanizmi përmes të cilit KQZ-ja të mund të identifikonte përmbajtje që mund të ishin manipuluese apo që të kërkonte heqjen e përmbajtjeve të caktuara nga kjo platformë. Fusha e mbulimit dhe efikasiteti në përgjithësi i monitorimit nga KQZ-ja të fushatës online mbeti i kufizuar.
Gjatë periudhës zgjedhore, MVZ-ja e ODIHR-it ndoqi aktivitetet e fushatës së 23 llogarive të partive politike, koalicioneve dhe kandidatëve kryesorë në Facebook dhe Instagram. Kandidatët u angazhuan në mënyrë aktive në të gjitha këto platforma, duke u fokusuar tek video-mesazhet, duke shpërndarë përmbajtje nga aktivitetet e fushatës, si dhe duke promovuar premtime zgjedhore. Megjithëse shumica e partive politike nënshkruan para fushatës Kodin e Etikës për Fushatat Dixhitale, duke përfshirë edhe PD-në dhe PS-në, disa kandidatë shpërndanë përmbajtje përçarëse, diskriminuese dhe manipuluese.
Disa organizata të shoqërisisë civile monitoruan fushatën në rrjetet sociale, duke përfshirë Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, i cili raportoi disa raste sjelljesh të koordinuara joautentike për të amplifikuar angazhimin në mënyrë artificiale, sidomos të llogarive të palëve të treta që shpërndanin reklama postime që godisnin opozitën, si dhe Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, i cili monitoroi reklamat politike në rrjetet sociale.
67
Financimi i fushatës
Financimi i fushatës rregullohet kryesisht nga Kodi Zgjedhor dhe ligji për partitë politike. Pavarësisht nga disa ndryshime të kohëve të fundit, që prej 2020-ës nuk ka pasur ndonjë reformë gjithëpërfshirëse. Kuadrit ligjor aktual i mungon efikasiteti dhe mangësitë e tij ndikojnë negativisht në transparencën e financimit të fushatës dhe në barazinë e mundësive për partitë dhe kandidatët.
Partitë politike mund t’i financojnë fushatat e tyre me fonde publike dhe private, duke përfshirë edhe me fondet e veta, hua bankare dhe donacione nga shtetas dhe persona juridikë vendas. Më 21 mars, mjaftueshëm në kohë para fushatës, KQZ-ja shpërndau 131,201,816 lekë (afërsisht 1.3 milion euro) nga fondet publike mes njëmbëdhjetë subjekteve zgjedhore në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të kaluara.
Në vitin 2025, kufiri i vetëfinancimit u ngrit nga 1 milion në 3 milion lekë (afërsisht 30,000 euro). Kufiri për donacionet, përfshirë ato në natyrë, është 1 milion lekë (afërsisht 10,000 euro) për donacion, por nuk ka një limit për shumën totale. Vetëm kontributet mbi 50,000 lekë (afërsisht 500 euro) duhet të bëhen përmes një llogarie bankare të dedikuar. Për huatë nuk ka ndonjë kufi specifik dhe as nuk janë të rregulluara me ligj, për shembull, sa i përket detyrimeve për shlyerjen e tyre. Megjithëse kërkohet me ligj, asnjë nga kandidatët nuk publikoi të dhëna për donacionet, huatë apo kreditë e marra, duke e dëmtuar edhe më shumë transparencën; megjithatë, KQZ-ja nuk u kërkoi të ndërmerrnin asnjë veprim, pasi KQZ-ja nuk ka instrumente ligjore për të siguruar përmbushjen e parashikimeve ligjore.
Periudha e rregulluar mbulon shpenzimet e partive politike dhe koalicioneve që nga data kur shpallet zyrtarisht data e zgjedhjeve deri në fund të fushatës, duke përfshirë edhe shpenzimet e bëra para periudhës zyrtare të fushatës. Megjithatë, ligji nuk specifikon qartë se cilat aktivitete parazgjedhore duhet të klasifikohen si shpenzime fushate dhe duhet të jenë objekt i mbikëqyrjes dhe sanksioneve potenciale, çka bie ndesh me praktikat e mira ndërkombëtare.
Kufiri aktual për shpenzimet e një partie apo koalicioni është 326,456,950 lekë (afërsisht 3.3 milion euro). Ndryshimet ligjore të 2025-ës nuk i përfshinë shpenzimet e kandidatëve në kufirin e shpenzimeve për partitë dhe nuk vendosën një kufi më vete për shpenzimet e kandidatëve. Ky boshllëk ligjor mund të lejojë anashkalimin e kufirit të shpenzimeve nga ana e partive dhe koalicioneve, duke cenuar transparencën dhe llogaridhënien dhe duke krijuar mundësi për një avantazh joproporcional të partive më të mëdha.
Shpenzimet për aktivitetet online të fushatës duhet që, parimisht, të përfshihen në shumën e përgjithshme nën kufirin e shpenzimeve dhe të raportohen, duke u nisur nga detyrimi ligjor për raportimin e të gjitha shpenzimeve të mundshme të fushatës. Megjithatë, pavarësisht nga një rekomandim i mëparshëm i ODIHR-it, shpenzimet për fushatat online, reklamat politike të paguara në platformat e rrjeteve sociale dhe shpenzimet e palëve të treta nuk janë të rregulluara qartë, gjë që mund të çojë në përdorimin e pakontrolluar të fondeve në fushatë. Këto boshllëqe mund t’i hapin rrugën përdorimit të fondeve të paligjshme dhe të pagjurmueshme, si dhe anashkalimit të rregullave në fuqi.
Kandidatët janë të detyruar të dorëzojnë në KQZ raporte për financimin e fushatës përmes një Platforme Elektronike për Raportimin Financiar Brenda 60 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve. Mungesa e raportit të ndërmjetëm financiar para ditës së zgjedhjeve kufizon transparencën, i privon zgjedhësit nga informimi në kohë dhe bie ndesh me praktikën e mirë zgjedhore ndërkombëtare lidhur me mbikëqyrjen e financimit të fushatës. Bashkëbisedues të ndryshëm të MVZ-së së ODIHR-it shprehën shqetësime lidhur me disa kufizime teknike të platformës online të KQZ-së dhe për disa probleme në kërkimin dhe krahasimin e të dhënave. Disa parti vunë në dukje se kishin marrë trajnim dhe mbështetje të vazhdueshme nga KQZ-ja në lidhje me detyrimet për raportim.
Brenda pesë ditësh nga shpallja e rezultateve, KQZ-ja duhet të emërojë audituesit për shqyrtimin e këtyre raporteve. Disa bashkëbisedues të ODIHR-it shprehën shqetësime në lidhje me kapacitetin e audituesve për identifikimin e financimeve të paligjshme ose shpenzimeve të padeklaruara, duke përfshirë edhe shpenzimet për fushatën online.
Media
Pavarësia, shumëllojshmëria dhe integriteti i lajmeve në dispozicion të zgjedhësve cenohen nga fakti që shumica e mediave varen nga financime jotransparente të interesave politike dhe interesave të biznesit, duke u mbështetur shpesh tek kontratat qeveritare. Përqendrimi i pronësisë së medias e cenon edhe më shumë pluralizmin e burimeve informative, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.
Sipas disa bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it, fakti që disa prej agjencive të rëndësishme të marketingut zotërohen nga interesa politike cenon shpërndarjen e drejtë të të ardhurave nga reklamat, ndërkohë që mungesa e matjeve të besueshme të audiencës nuk lejon shpërndarjen transparente dhe të përgjegjshme të reklamave publike. Shumica dërrmuese e organeve mediatike perceptohen si mbështetëse të PS-së në pushtet.
Transmetuesi publik, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) nuk konsiderohet se gëzon audiencë të madhe, dhe procedura bipartizane e emërimit të organeve drejtuese si të RTSH-së, ashtu edhe të Autoritetit Audio-vizual Media (AMA) nuk garanton pavarësinë e tyre de facto. Ndërhyrja e gjerë nga pronarët e mediave në autonominë editoriale, bashkë me autocensurën mes gazetarëve, ndikon negativisht në informacionet që i vihen në dispozicion publikut.
Gazetarët ekspozohen në mënyrë të përsëritur ndaj sulmeve verbale dhe, hera-herës edhe fizike, nga zyrtarët publikë. Gjithashtu, gazetarët raportojnë për akses në rënie tek përfaqësuesit e qeverisë, përfshirë edhe Kryeministrin, dhe për zvogëlim të numrit të konferencave për shtyp të organizuara, si dhe për moslejim të gazetarëve në disa raste në aktivitete, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.
Mbulimi editorial i lajmeve zëvendësohet shpesh nga materiale të përgatitura nga organet qeveritare, duke cenuar integritetin editorial. Agjencia e Medias dhe Informacionit (AMI), në varësi të Kryeministrisë, i centralizon dhe filtron informacionet e nxjerra rreth qeverisë dhe institucioneve publik. Disa organe mediatike të financuara nga shoqëria civile dhe nga donatorët ofrojnë gazetari investigative dhe në interes të publikut, por janë prekur nga shkurtimet së fundmi të fondeve ndërkombëtare.
Në përgjithësi, Kushtetuta dhe legjislacioni parashikojnë mbrojtjen e lirisë së fjalës. Megjithatë, pavarësisht nga rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it, shpifja vazhdon të mbetet vepër penale. Një numër i konsiderueshëm çështjesh gjyqësore civile dhe penale janë hapur vitet e fundit kundër gazetarëve për shpifje, duke përfshirë edhe disa padi strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut (SLAPP), kundër gazetarëve.
Kodi i Transmetimit i vitit 2023 kërkon që të gjitha lajmet të jenë objektive dhe të paanshme. Kodi Zgjedhor, ndryshe nga çfarë kërkohet nga angazhimet e OSBE-së, nuk parashikon mbulim të barabartë në edicionet informative për partitë joparlamentare në një mjedis mediatik tashmë disavantazhues për to.
Më 6 mars, Këshilli i Ministrave ndaloi përkohësisht platformën TikTok, ndalim që nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sipas disa bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it, ky ndalim pati edhe një ndikim tjetër të dëmshëm ndaj aftësisë së të gjithë kandidatëve, duke përfshirë edhe ata të partive joparlamentare, për të bërë fushatë në kushte të barabarta.
Sipas shumicës së bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it, materialet filmike për edicionet informative mbi fushatën u ofruan nga partitë politike. Në stacionet televizive të monitoruara nga MVZ-ja e ODIHR-it, asnjë prej mbulimeve në edicionet informative nuk u identifikua si i tillë, siç kërkohet nga Kodi Zgjedhor dhe nga KQZ-ja nuk u ndërmor asnjë masë për adresimin e kësaj praktike.
Gjithashtu, disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it raportuan se disa intervista me disa kandidatë të transmetuara në programet e aktualitetit kishin qenë të paguara, në shkelje të ligjit. Materialet filmike të prodhuara nga kandidatët zgjedhorë në edicionet informative, si dhe mbulimi mediatik i paguar, është de facto i barabartë me reklamat politike dhe vë në disavantazh kandidatët me më pak mundësi financiare.
Monitorimi i MVZ-së së ODIHR-it tregoi se në dy stacionet televizive të monitoruara, PS-ja mori më shumë mbulim të fushatës në edicionet informative sesa PD-ja – ASHM. Në RTSH, A2 CNN, Top Channel dhe TV Klan, PS-ja mori përkatësisht 45, 46, 48 dhe 57 për qind, ndërsa PD- ASHM mori 41, 48, 45 dhe 43 për qind.
Mbulimi, në 83 për qind të rasteve, ishte me ton neutral ose pozitiv. Asnjë prej subjekteve të tjera nuk mori më shumë se 5 për qind të mbulimit në ndonjë prej stacioneve televizive të monitoruara. Megjithëse disa programe debati u transmetuan rregullisht, ato nuk sollën kandidatë shumë të njohur apo drejtues partish nga parti të ndryshme. RTSH-ja përmbushi detyrimin e saj ligjor të ofrimit të minutazhit falas subjekteve zgjedhore. Reklama politike me pagesë në televizion u blenë vetëm nga dy partitë dominuese. Përfundimisht, mjedisi i kufizuar mediatik dhe mosrespektimi në mirëbesim i parashikimeve ligjore, bëri që zgjedhësve t’u mohohej informimi i pavarur, i shumëllojshëm dhe solid lidhur me garën zgjedhore.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve zgjedhore
Kuadri ligjor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore përfshin procedurat administrative të pasuara nga mundësia për ankimim gjyqësor. Vëzhguesit mund të ankohen vetëm për mosmarrje të akreditimit, ndërsa zgjedhësit mund të ankohen vetëm për përjashtim nga lista e zgjedhësve duke iu drejtuar gjykatave të rretheve. Kjo qasje e ngushtë lidhur me legjitimitetin e ankimit është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikën e mirë zgjedhore, që kërkon akses më të gjerë në zgjidhje ligjore efikase për mosmarrëveshjet zgjedhore.
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) shqyrton ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së dhe KZAZ-ve, duke përfshirë edhe vendimet për rezultatet e zgjedhjeve, të cilat duhet të gjykohen brenda 10 ditësh. Me kërkesë të KQZ-së, KAS-i mund edhe të vendosë sanksione. Deri më 11 maj, KAS-i ka shqyrtuar 17 ankime ndaj vendimeve të Komisionerit, të cilat të gjitha kishin të bënin me pretendime për parregullsi para fillimit të fushatës zgjedhore. Në 11 raste pranoi ankimimet, në dy raste prishi vendimet e Komisionerit dhe vendosi katër gjoba administrative prej 3,000 lekësh për parregullsi në raportimin e institucioneve publike lidhur me aktivitetet e tyre dhe neglizhencën e anëtarëve të KZAZ-së. Ankimimet e tjera nuk u pranuan. Procesi qe transparent, të gjitha çështjet u shqyrtuan në seanca publike dhe me pjesëmarrjen e palëve të përfshira. Megjithëse vendimet e KAS-it ishin përgjithësisht të mirëarsyetuara, ato reflektuan një interpretim të ngushtë të rregullave për përdorimin e burimeve administrative në fushatë, duke e kufizuar zbatimin e tyre rreptësisht në periudhën zyrtare të fushatës, në kundërshtim me praktikën e mirë zgjedhore.
Kolegji Zgjedhor i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë (Kolegji Zgjedhor) është autoriteti më i lartë për gjykimin e mosmarrëveshjeve zgjedhore, por operon me staf administrativ të kufizuar, dhe me trajnime dhe burime financiare të pamjaftueshme. Deri më 11 maj, Kolegji Zgjedhor ka gjykuar dhe ka rrëzuar tre ankimime. Seancat ishin publike, vendimet të arsyetuara dhe të publikuara në faqen zyrtare, pavarësisht se me vonesë.
Në Kodin Penal jepet përkufizimi i 15 veprave penale në lidhje me zgjedhjet, shumica e të cilave janë në kompetencën e Prokurorit të Përgjithshëm. Deri më 11 maj, ka nisur procedimi penal në 25 nga 44 raste të pretendimeve për krime zgjedhore, ku përfshihen raste të akuzave për shpërdorim detyre për qëllime zgjedhore dhe pengim të subjekteve zgjedhore. SPAK-u ka juridiksion mbi rastet e korrupsionit zgjedhor që kanë të bëjnë me kategori të zyrtarëve të lartë publikë ose krimin e organizuar. Për herë të parë, SPAK-u ngriti një task forcë hetimore dhe një platformë online për raportimin e veprave penale zgjedhore.
Deri më 10 maj, nga 138 raportime për pretendime për krime zgjedhore janë nisur 39 procedime penale, shumica e të cilave kanë të bëjnë me akuza për korrupsion pasiv dhe aktiv. Konkretisht, SPAK-u ka nisur tetë procedime ex officio. Bashkëpunimi midis SPAK-ut, KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, bazuar në një protokoll ndërinstitucional, mundësoi shkëmbimin e informacioneve lidhur me krimet zgjedhore, përcaktimin e prioriteteve dhe u vlerësua përgjithësisht pozitivisht nga bashkëbiseduesit e ODIHR-it. SPAK-u perceptohej përgjithësisht si një institucion i besuar dhe si institucion që mund të kishte një efekt frenues. Megjithatë, disa bashkëbisedues ngritën shqetësime lidhur me efikasitetin e policisë në trajtimin e veprave penale të lidhura me zgjedhjet, edhe kur ato lidheshin me rrjete të krimit të organizuar.
Pjesëmarrja e pakicave kombëtare
Kushtetuta shqiptare parashikon të drejta të plota politike, civile dhe sociale për pakicat, dhe Kodi Zgjedhor garanton të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur për të gjithë shtetasit shqiptarë pavarësisht nga origjina etnike, raca, besimi fetar apo gjuha. KQZ-ja prodhoi materiale zgjedhore në gjuhën e pakicave kombëtare të njohura zyrtarisht, me përjashtim të pakicës egjiptiane, megjithëse shumica e bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it pretenduan se materialet nuk u shpërndanë gjerësisht.
Gjatë fushatës nuk u vunë re kufizime të përdorimit të gjuhëve të pakicave. Në fushatë nuk pati probleme të theksuara lidhur me pakicat kombëtare apo etninë, dhe kandidatët e pakicave kombëtare shpesh bënë fushatë për çështje që prekin popullatën në tërësi, me përjashtim të një numri të vogël kandidatësh nga pakica greke që bënë fushatë lidhur me të drejtat e pronësisë.
Pakicat patën përgjithësisht mundësinë të merrnin pjesë lirisht si zgjedhës dhe si kandidatë, duke kandiduar si me dy partitë kryesore kombëtare, ashtu edhe me dy parti të pakicave kombëtare në koalicionin e udhëhequr nga PD-ja. Sipas disa bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it, sistemi zgjedhor aktual që e bën të detyrueshëm daljen me kandidatë në të gjitha zonat zgjedhore ishte pengesë për marrjen e mandateve në parlament nga ana e partive të pakicave kombëtare. Ata gjithashtu theksuan se anëtarët e komunitetit rom ishin përgjithësisht të pafamiljarizuar me procedurat zgjedhore dhe se nuk kishte pasur ndonjë informim specifik për ta në këtë drejtim.
-
Përveç kësaj, vëzhguesve afatgjatë të MVZ-së së ODIHR-it iu raportua se ndaj komuniteteve rome dhe egjiptiane kishte pasur presion për shitje votash.
-
Vëzhguesit e MVZ-së së ODIHR-it vunë re se zgjedhësit romë në disa zona ishin të paqartë për vendndodhjen e saktë të qendrave të tyre të votimit, pjesërisht për shkak të komunikimit zyrtar të pamjaftueshëm.
-
Vëzhgimi i zgjedhjeve
Kodi Zgjedhor parashikon vëzhgimin e zgjedhjeve nga vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. KQZ-ja akreditoi gjithsej 47 organizata vendase dhe 56 organizata ndërkombëtare. OSHC-të informuan MNVZ-në se mungesa e financimit, veçanërisht nga donatorët ndërkombëtarë, uli kapacitetin e tyre për një vëzhgim gjithëpërfshirës dhe për të dërguar një numër të përshtatshëm vëzhguesish në ditën e zgjedhjeve.
Partitë parlamentare dhe koalicionet mund të caktojnë përfaqësues të përhershëm në KQZ. Subjektet zgjedhore mund të caktonin një vëzhgues në KZAZ dhe KQV, si dhe për çdo GNV, duke përfshirë edhe për fletët e votimit nga jashtë vendit.
Dita e zgjedhjeve
Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe u menaxhua në mënyrë transparente, por në shumë vende u shënua mosrespektim i procedurave gjatë hapjes dhe votimit, si dhe disa raportime për frikësim dhe ndikim tek zgjedhësit. Në përgjithësi, vëzhguesve iu dha akses i mjaftueshëm për të monitoruar të gjithë procesin.
Numri i madh i ndryshimit të vonë të disa anëtarëve të emëruar nga partitë politike në Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV), madje edhe në prag të zgjedhjeve, pati ndikim negativ në respektimin e procedurave të votimit dhe reduktoi efektivisht transparencën e përbërjes së KQV-ve.
Në orën 20:00 në ditën e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 42.3 për qind. MNVZ-ja vëzhgoi hapjen në 122 qendra votimi, duke e vlerësuar procesin negativisht në një të tretën e rasteve. Numri i madh i vlerësimeve negative ishte kryesisht për shkak të mosrespektimit të disa procedurave.
Në shumicën e qendrave të votimit të vëzhguara, votimi filloi me vonesë, ku në 28 prej tyre vonesa ishte mbi 30 minuta, shpesh për shkak të problemeve teknike ose mungesës së materialeve. Në 26 raste, anëtarët e KQV-ve nuk ishin të njohur me procedurat e hapjes, dhe në 17 raste, të pranishmëve nuk iu demonstrua kutia e votimit bosh. Në 9 raste u konstatua se nuk u ndoqën procedurat për vendosjen e pajisjes për identifikimin biometrik. Në 12 KQV, persona të paautorizuar jepnin udhëzime ose ndërhynin në punën e komisionit.
Në qendrat e votimit elektronik, vëzhguesit e MNVZ-së raportuan se në shumë raste nuk u ndoqën procedurat. Në shumicën e rasteve, votimi u vlerësua pozitivisht. Megjithatë, në 4.6 për qind të 995 vëzhgimeve, një numër i lartë, procesi u vlerësua negativisht, kryesisht për shkak të mangësive procedurale dhe një niveli presioni mbi zgjedhësit.
Vëzhguesit e partive ishin të pranishëm në 79 për qind të qendrave të votimit, ndërsa vëzhgues vendas u konstatuan vetëm në 8 për qind, dhe mungesa e tyre në shumë qendra uli nivelin e mbikëqyrjes së procesit. Në total, 30 për qind e anëtarëve të KQV-ve ishin gra, ndërsa gratë ishin kryetare të KQV-ve në 25.5 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara.
Vëzhguesit e MNZHZ raportuan se në 23 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara, votuesit nuk mund të identifikoheshin gjithmonë nga pajisjet për identifikim të votuesve, dhe në 24 për qind të qendrave të votimit nuk u kontrolluan gjithmonë për shenja të bojës në duar. Disa pajisje për identifikim biometrik pësuan defekte, duke shkaktuar ndërprerje në proces. Në 23 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara, shenjat e gishtërinjve të disa votuesve nuk u lexuan siç duhet. Kodet e sigurisë nuk u regjistruan në Librin e Procesverbalit të Mbledhjes së KQV-ve në 5 për qind të rasteve të vëzhguara.
Organizimi fizik i qendrave të votimit u vlerësua si i papërshtatshëm për votim në 5 për qind të vëzhgimeve, kryesisht sepse kontribuoi në komprometimin e fshehtësisë së votës, e cila në 12 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara nuk u respektua gjithmonë. Fshehtësia e votës u komprometua gjithashtu nga ndërhyrjet e vëzhguesve të partive ose të anëtarëve të KQV-ve. Votimi në grup, kryesisht votimi familjar, u vëzhgua në 11 për qind të qendrave të vizituara dhe votimi përfaqësues, shpesh për anëtarë të familjes, në 3 për qind.
Kuptimi i votuesve për procedurat e votimit u vlerësua negativisht në 13 për qind të vëzhgimeve, duke treguar për nevojën e shtuar për edukim të votuesve mbi procedurat e reja të votimit pas futjes së listave preferenciale.
Gjatë gjithë ditës u vëzhguan disa raste shkeljesh të rëndësishme dhe incidentesh. MNZHZ vërejti tension ose frikësim në 4 për qind të qendrave të votimit të vizituara, që shpesh përfshinte vëzhgues ose përfaqësues partie të cilët qëndronin në hyrje të qendrave të votimit, ndërvepronin me votuesit ose ndërhynin në punën e KQV-ve. Persona të paautorizuar, përfshirë aktivistë partiakë, ishin të pranishëm në 2 për qind të vendeve të vizituara dhe ndërhynin në disa raste. Në 2.4 për qind të qendrave të votimit kishte indikacione se votuesit nxiteshin të votonin për një kandidat të caktuar, përfshirë pretendime për blerje votash. Në 3 për qind të qendrave të votimit, vëzhguesit raportuan për persona të paautorizuar që mbanin shënim se kush kishte votuar.
Pas mbylljes së votimeve, KQZ raportoi se rastet që lidhen me pesë incidente janë referuar në prokurori: dy në Tiranë dhe nga një në Elbasan, Korçë dhe Berat.
Në lidhje me votimin elektronik, vëzhguesit e MNZHZ vërejtën se, megjithëse në përgjithësi procesi kaloi pa probleme të mëdha, disa shqetësime ishin të dukshme. Shumë votues dukeshin të panjohur me mënyrën e përdorimit të pajisjes së votimit, dhe shumë prej tyre nuk arritën të votojnë brenda kufirit të kohës prej tre minutash. Disa anëtarë të KQV-ve dhe operatorë të teknologjisë nuk ishin të trajnuar në mënyrë adekuate për procedurat përkatëse ose nuk kishin qartësi për rolet e tyre.
Në disa vende të vëzhguara, votuesit nuk mundën të votojnë në mënyrë të pavarur, dhe u ofrua ndihmë atyre që e kërkuan, ndërkohë që mbipopullimi për shkak të kohës që mori votimi në disa raste, komprometoi fshehtësinë e votës. Nuk kishte aksesueshmëri të mjaftueshme për personat me aftësi të kufizuara në 50 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara. Numri i madh i qendrave të votimit që ishin të paaksesueshme për votim të pavarur tregon qartë nevojën e madhe për përpjekje të mëtejshme për të siguruar aksesueshmëri për të gjithë votuesit.
Gjithashtu, mënyra e organizimit brenda qendrave të votimit u pa si jo e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara në 24.4 për qind të qendrave të vizituara. Kjo, së bashku me mungesën e një mënyre votimi për votuesit që janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, që janë të shtruar në spital apo me probleme me lëvizjen, mund të ketë pasur një ndikim negativ në pjesëmarrjen e tyre.
Mbyllja e qendrave të votimit u vlerësua pozitivisht nga vëzhguesit e MNVZ-së në 75 nga 89 raportime. KQV-të ndoqën procedurat e mbylljes në shumicën e rasteve, megjithatë, në katër raste u raportuan tensione. Vëzhguesit e MNVZ-së raportuan shumë pozitivisht për pranimin e materialeve në Qendrat e Numërimit të Votave, megjithëse pati mbipopullim në 10 nga 50 qendrat e vëzhguara.
Transmetimi i rezultateve të votimeve elektronike nga pajisjet direkt tek KQZ-ja në mbyllje të procesit të votimit u shty për shkak të një kërkese nga PD-ja për të mos transmetuar votat elektronike në mbyllje të votimit, për të shmangur njohjen e rezultateve të parakohshme, duke treguar gjithashtu edhe mungesë besimi tek sistemi. Pajisjet e votimit, bashkë me kutitë e fletëve të votimit që janë pjesë e tyre, u dorëzuan në KZAZ-të përkatëse në Tiranë dhe Vorë, ku u krye pilotimi, për të filluar numërimin mëngjesin e datës 12 maj.
Vëzhguesit e MNVZ-së kanë raportuar nga 66 nga 93 Qendrat e Numërimit të Votave, dhe raportimi vazhdon. Vëzhguesit e vlerësuan negativisht procesin në 7 nga këto 66 raste. Problemet në përgjithësi lidhen me tensionet (9 raste), mbipopullimin (7 raste), mungesë të aksesit të plotë në proces (12 raste) dhe disa ndërhyrje nga vëzhguesit e partive (6 raste).
Megjithëse procesi i numërimit vazhdoi në mënyrë të rregullt në shumë qendra numërimi, vëzhguesit vërejtën një atmosferë kaotike dhe kontestime lidhur me vlefshmërinë e fletëve të votimit në disa qendra. Gjetjet fillestare bazohen në numërimin e 97 kutive votimi.
Vëzhguesit e MNVZ-së e vlerësuan negativisht numërimin individual të votave në 8 raste, kryesisht për shkak të mangësive procedurale dhe mungesës së transparencës, si mosnumërimi fillimisht i fletëve të papërdorura të votimit dhe mosdemonstrimi i fletëve të votimit si duhet para kamerave të instaluara për këtë qëllim.
Vëzhguesve të partive nuk iu dhanë kopje të rezultateve në 19 raste, duke kufizuar transparencën. Për 8 numërime u kërkua rinumërimi. Tabela e rezultateve për numërimin e votave u dorëzua në KZAZ menjëherë pas përfundimit të numërimit në 89 vëzhgime.
Në Dibër dhe Elbasan, vëzhguesit e MNVZ-së raportuan se zyrtarët e KQZ-së kishin shkuar në zonë për të trajnuar anëtarët e qendrave të numërimit në mesnatë, para se të fillonte numërimi i votave, duke treguar mungesë trajnimi që ndoshta lidhet me zëvendësimin me vonesë të disa anëtarëve të caktuar nga partitë.
Një vonesë në numërimin e votave të VCV u vu re në qendrën kryesore të numërimit në Tiranë, për shkak të një ankese nga PD në lidhje me verifikimin e disa fletëve të votimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



