E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kur vendi është në krizë, urtësia të marrë fjalën!
Lajme

Kur vendi është në krizë, urtësia të marrë fjalën!

Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar për krizën politike dhe protestat e studentëve që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, duke kërkuar përgjegjësi nga drejtuesit politikë dhe një rrugëdalje që të mos e thellojë më tej përplasjen në shoqëri.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meksi thekson se pakënaqësia qytetare nuk mund të injorohet dhe se stabiliteti nuk mund të garantohet duke heshtur zërat kritikë. Sipas saj, zgjidhja kërkon përballje me shkaqet që kanë sjellë krizën, reflektim politik dhe vendimmarrje në interes të vendit.

Duke iu referuar përvojës së saj shumëvjeçare në politikë dhe angazhimit pranë OSBE-së, ish-ministrja nënvizon rëndësinë e adresimit të korrupsionit dhe të pakënaqësisë së akumuluar, përpara se ato të shndërrohen në burim të një destabiliteti më të madh.

Një nga pikat më të rëndësishme të reagimit të saj është kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama. Meksi vlerëson se kjo kërkesë nuk mund të shpërfillet, por as të përdoret si shkak për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Ajo kërkon që situata të trajtohet me përgjegjësi politike dhe në përputhje me procedurat demokratike.

Ish-ministrja u bën thirrje drejtuesve politikë, deputetëve, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të nisin një proces të mirëfilltë konsultimi, ku të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të studentëve, dhe të shqyrtohen mundësitë për kapërcimin e krizës.

Në mesazhin e saj, Meksi paralajmëron gjithashtu se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, por as shpërfillja e shkaqeve të zemërimit qytetar nuk sjell qetësi. Sipas saj, politika duhet të tregojë guxim për të vepruar dhe jo të kufizohet te deklaratat e zakonshme.

Postimi i plotë i Ermelinda Meksit:

Kur vendi është në krizë, urtësia të marrë fjalën!

Kam pritur të shkruaj, jo sepse nuk kam pasur shqetësim, por sepse në momente të tilla fjalët duhet të peshohen mirë dhe thirrjet duhet të çojnë drejt zgjidhjes, jo drejt përshkallëzimit.

Përvoja shumëvjeçare politike më ka mësuar se asnjë krizë e rëndë nuk zgjidhet duke mohuar problemin, duke shpërfillur pakënaqësinë apo duke vendosur interesa të ngushta mbi interesin e vendit.

Gjatë angazhimit shumëvjeçar në OSBE, jam marrë edhe me rëndësinë e adresimit të korrupsionit, për të parandaluar që pakënaqësia e akumuluar të kthehet në revoltë që cenon stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Kjo përvojë më ka bindur se stabiliteti i qëndrueshëm nuk sigurohet duke heshtur pakënaqësinë, por duke adresuar shkaqet e saj.

Shqipëria ka nevojë për urtësi, përgjegjësi dhe një zgjidhje politike serioze. Kur besimi te qeverisja është tronditur dhe zemërimi qytetar është kaq i dukshëm, nuk mjaftojnë deklaratat dhe formulat e zakonshme. Nevojitet guxim politik për t’u përballur me realitetin dhe për të gjetur një rrugëdalje që i shërben vendit.

Përvoja në politikë më ka mësuar se forumet politike kanë vlerë kur krijojnë hapësirë për debat të hapur, reflektim dhe vendimmarrje kolektive. Në momente të vështira, një forcë politike duhet të ketë kurajën të dëgjojë edhe zërat kritikë, të vlerësojë situatën pa paragjykime dhe të vendosë interesin e vendit mbi çdo konsideratë tjetër.

Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet dhe as të bëhet shkak për përplasje të mëtejshme. Ajo duhet të trajtohet me përgjegjësi politike, në respekt të vullnetit qytetar dhe të procedurave demokratike. Është koha që drejtuesit politikë të shqyrtojnë me seriozitet mundësitë për një zgjidhje që qetëson situatën, garanton funksionimin e institucioneve dhe ndihmon në rikthimin e besimit.

U bëj thirrje drejtuesve politikë, deputetëve, forumeve politike, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të marrin përgjegjësinë që kërkon ky moment.

Hapni një proces të vërtetë konsultimi dhe dialogu, ku të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të studentëve, dhe të shqyrtohen me sinqeritet rrugët e mundshme të daljes nga kriza.

Dhuna nuk është zgjidhje. Por as shpërfillja e shkaqeve të zemërimit nuk sjell paqe. Duhen shmangur provokimet, mbrojtur protesta paqësore dhe mos lejuar që kriza politike të kthehet në një plagë edhe më të thellë shoqërore.

Shqipëria është mbi çdo individ, post apo parti. Asnjë pushtet nuk vlen më shumë se paqja sociale, dinjiteti i qytetarëve dhe e ardhmja e vendit.

Është koha që politika të tregojë urtësi, jo duke fituar kohë, por duke gjetur zgjidhje. Përgjegjësia politike matet jo vetëm me mënyrën si fitohet pushteti, por edhe me guximin për të vepruar kur interesi i vendit e kërkon.

Le të mbizotërojnë urtësia dhe përgjegjësia ndaj Shqipërisë!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.