Operacion historik/ Kapen 10 tonë drogë, 13 të arrestuar dhe një armë
Policia spanjolle ka shënuar një rekord historik në luftën kundër trafikut të drogës, duke sekuestruar gati 10 tonë kokainë në det të hapur, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë nga autoritetet spanjolle në një operacion detar.
Ngarkesa e drogës ishte fshehur mes thasëve me kripë në një anije mallrash që kishte nisur udhëtimin nga Brazili drejt Europës. Operacioni u zhvillua në Oqeanin Atlantik, ku forcat speciale të Njësisë së Operacioneve Speciale (GEO) hipën në bordin e anijes dhe zbuluan 9,994 kilogramë kokainë, të kamufluar me kujdes për t’iu shmangur kontrolleve.
Gjatë ndërhyrjes policore u arrestuan 13 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa u sekuestruan gjithashtu 294 pako me lëndë narkotike dhe një armë zjarri. Pas përfundimit të operacionit, anija mbeti pa karburant dhe u tërhoq nga roja bregdetare drejt portit të Santa Cruz de Tenerife, në Ishujt Kanarie.
Pamjet e publikuara nga policia spanjolle tregojnë momentet e ndërhyrjes, ku efektivët përdorin lopata dhe duart për të nxjerrë kokainën e fshehur nën kripë, duke formuar më pas një zinxhir njerëzor për transportimin e pakove drejt molit.
Operacioni ndërkombëtar, i koduar “White Tide”, u realizua në bashkëpunim me Qendrën për Analizë dhe Operacione Detare (MAOC), Agjencinë Amerikane kundër Drogës (DEA), Policinë Federale të Brazilit, Agjencinë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës dhe Portugalisë.
Sipas policisë spanjolle, kjo është goditja më e madhe detare ndaj trafikut të kokainës që nga viti 1999, kur u sekuestruan 7.5 tonë drogë në një tjetër operacion të madh që çmontoi një rrjet ndërkombëtar trafikimi mes Spanjës dhe Kolumbisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



