E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Operacion i përbashkët Doganë-Polici, kapen kokainë dhe gurë diamanti
Lajme

Operacion i përbashkët Doganë-Polici, kapen kokainë dhe gurë diamanti

Një operacion i përbashkët mes Doganës së Durrësit dhe strukturave të Policisë së Shtetit ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të dyshuar kokaine, katër gurëve të dyshuar si diamante, si dhe një aparature elektronike për detektimin e metaleve të çmuara.

Aksioni u zhvillua gjatë kontrolleve të shtuara në Portin e Durrësit, ku prej muajsh Dogana dhe Policia e Shtetit kanë intensifikuar bashkëpunimin për goditjen e aktiviteteve të paligjshme në pikat kufitare. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, operacionet e përbashkëta kanë sjellë disa goditje të rëndësishme ndaj trafikimit të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe veprimtarive të tjera kriminale.

Sipas informacionit zyrtar, zbulimet e fundit u realizuan gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj automjeteve dhe udhëtarëve që mbërritën në Portin e Durrësit nga Italia.

Në njërin prej rasteve, gjatë kontrollit të një automjeti që kishte mbërritur me tragetin e linjës Ankona–Durrës, autoritetet konstatuan një valixhe ku ndodhej një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara, së bashku me aksesorët përkatës të montimit.

Në një tjetër kontroll fizik ndaj një shtetasi që udhëtonte me automjet të ardhur nga Italia, u gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamantet. Gurët janë sekuestruar dhe pritet t’i nënshtrohen ekspertizave për të përcaktuar origjinën dhe vlerën e tyre.

Ndërkohë, në një automjet tjetër, shërbimet e kontrollit zbuluan një sasi të dyshuar lënde narkotike të llojit kokainë. Sipas të dhënave paraprake, droga ishte fshehur në një veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit.

Të gjitha materialet e sekuestruara janë marrë në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara kriminale.

Operacioni i fundit konsiderohet një tjetër rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Doganës së Durrësit dhe Policisë së Shtetit, të cilat gjatë muajve të fundit kanë shtuar kontrollet dhe shkëmbimin e informacionit për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme në hyrje të vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.