E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Operacioni “antiskifer” prangos 4 persona
Lajme

Operacioni “antiskifer” prangos 4 persona

Tetë shtetas shqiptarë u arrestuan pas një hetimi ndërkombëtar, të kryer në bashkëpunim me autoritetet në Francë dhe në Shqipëri, nga strukturat e Njësisë Task Forcë “Antiskifter”.

 

Fillimisht, në Francë u arrestuan 4 persona e më pas një i pestë dy ditë më parë, ndërsa nga Policia shqiptare u arrestuan 3 të tjerë në Laç. Të arrestuarit akuzohen për vjedhje me dhunë të afro 70 apartamenteve në zonën e Nancy-t, gjatë tre muajve të fundit të vitit 2018. Burime nga grupi hetimor thanë se vlera e sendeve të vjedhura përllogaritet në rreth 300 mijë euro, duke përfshirë bizhuteri, sende me vlerë dhe para cash.

Rezultatet e operacionit u bënë publike në një konferencë të posaçme për median pasditen e së hënës, organizuar në Nancy të Francës nga kryeprokurori i rajonit, François Pérain, dhe prokurori shqiptar, Besim Hajdarmataj.

Prokurori francez e konsideroi rast të suksesshëm bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar. Ndërsa prokurori Hajdarmataj e vlerësoi këtë operacion si një sinjal të qartë për grupet kriminale shqiptare, që e konsiderojnë Shqipërinë si një vend ku mund të fshehin gjurmët e krimeve të kryera në Francë.

 

policia

HETIMI

Në bazë të hetimeve, në Francë u arrestuan 4 anëtarë të familjes Kajtazi, të drejtuar nga Arif Kajtazi, të cilët janë rezidentë prej vitesh në rajonin e Nancy-t. Ndërsa në Shqipëri, me urdhër të prokurorit Besim Hajdarmataj, u ndaluan shtetasit Besnik Fufi, Alfons Perloka dhe Aleks Marku, nga Laçi. Për këta persona, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Në bazë të hetimeve të përbashkëta mes autoriteteve franceze dhe shqiptare rezulton se familja Kajtazi u siguronte Fufit, Perlokës dhe Markut banesën dhe mjetet për realizimin e vjedhjeve. Tre të arrestuarit në Shqipëri, pasi kryenin vjedhjet në Francë, riktheheshin në qytetin e tyre, në Laç, ku depozitonin sendet e grabitura.

Grupi i shqiptarëve u zbulua nga autoritetet policore, pasi kishin nisur hetimet për vjedhje në seri të kryera në rajonin e Nancy-t, në Francë, por edhe në Belgjikë e Itali. Arrestimi i 7 personave të dyshuar u realizua në mënyrë të njëkohshme në Francë dhe në Shqipëri. Për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit, tre të arrestuarit në Shqipëri do të gjykohen nga Gjykata për Krime të Rënda. Ndërsa 4 shqiptarët e arrestuar në Francë pritet të gjykohen nga autoritetet gjyqësore të Nancy-t.

OPERACIONI

Policia e Shtetit njoftoi dje se ishte finalizuar operacion i koduar “Akuila 2019”, zhvilluar mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policisë franceze dhe organeve të drejtësisë franceze, i koordinuar nga Europol. Nëpërmjet ndërmjetësimit të oficerit ndërlidhës shqiptar të atashuar pranë zyrave qendrore të luftës kundër krimit shëtitës në Paris, u kryen shkëmbime informacionesh midis grupeve hetimore në Francë dhe zyrës së Task-Forcës “Antiskifter”, përgjegjës për të luftuar fenomenin e kriminalitetit shëtitës shqiptar në Shqipëri, për një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së banesave dhe lokaleve.

Falë Europolit dhe në kuadër të projektit “Specter”, të financuar nga Bashkimi Europian, oficerët e Policisë Gjyqësore shqiptare morën pjesë në një takim të përbashkët me oficerët francezë në ambientet e zyrës qendrore te luftës kundër krimit shëtitës në Paris, ku u prezantuan detaje në lidhje me hetimet e kryera dhe ecurinë e mëtejshme të hetimeve.

NE AKSION 40 XHANDARE DHE 50 POLICE

Gjatë operacionit të zhvilluar u arrestuan 8 persona, nga këta 4 në Francë. Janë kryer dhjetëra kontrolle banesash, ku morën pjesë rreth 40 xhandarë dhe policë francezë. Tre persona të tjerë u arrestuan në Shqipëri, ku morën pjesë rreth 50 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Task-Forca “Antiskifter”.

Personi i tetë është arrestuar dy ditë më vonë në Francë. Kontrollet e kryera bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në veçanti në Shqipëri, të disa objekteve të vjedhura në Lorraine, Francë, në fund të vitit 2018, duke përfshirë bizhuteri të identifikuara me ndihmën e hetuesve francezë. Pas marrjes nën hetim dhe arrestimit të tyre, të tre personat e ndaluar në Shqipëri, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda të Tiranës, u lanë me masë sigurie “Burg pa afat”.

Si rezultat i marrjes nën hetim të një familjeje me origjinë kosovare, e cila shërbente si pikë mbështetëse për keqbërësit, u bë i mundur identifikimi, goditja dhe shkatërrimi tërësisht i këtij rrjeti të organizuar kriminal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.