Quito/Guayaquil, 29 maj 2025 – Një operacion i gjerë antidrogë i ndërmarrë në orët e para të mëngjesit nga Prokuroria dhe Policia Kombëtare Ekuadoriane çmontoi një rrjet të sofistikuar trafikimi droge që eksportonte kokainë drejt Spanjës, të fshehur në kontejnerë me fruta tropikale pitahaja.
Operacioni, i koduar “Gran Fénix 23”, u zhvillua në qytetet Quito dhe Guayaquil dhe çoi në arrestimin e 13 personave, përfshirë tre oficerë policie aktivë. Aksioni u shtri në 11 bastisje të njëkohshme, ndërkohë që autoritetet po hetojnë edhe lidhje të mundshme të këtij rrjeti me bandën e njohur kriminale ekuadoriane “Chone Killers”.
Hetimet për rrjetin nisën në vitin 2024, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, pas zbulimit të një ngarkese me drogë që mbërriti në Madrid më 15 gusht. Ky zbulim nisi hetimin paralel “Operacioni Dragon” në territorin spanjoll.
Sipas Prokurorisë, trafikantët përdornin si mbulesë tregtinë e ligjshme të frutave për të futur drogë në kontejnerë eksporti. Në këtë skemë ishin të përfshirë zyrtarë publikë dhe kompani sigurie private, që ndihmonin në kontaminimin e ngarkesave pa u zbuluar nga autoritetet doganore.
Në këtë rrjet ndërkombëtar janë identifikuar gjithashtu bashkëpunëtorë shqiptarë me bazë në Spanjë, të cilët kishin rolin kyç në logjistikën dhe transportin e drogës drejt Evropës.
Të arrestuarit në Ekuador pritet të dalin para gjykatës për ngritjen e akuzave për trafik ndërkombëtar droge dhe bashkëpunim me organizata kriminale. Në anën tjetër të Atlantikut, autoritetet spanjolle kanë arrestuar edhe katër persona të tjerë në kuadër të të njëjtit hetim.
Ministria e Brendshme e Ekuadorit deklaroi se ky operacion është pjesë e një strategjie të re për të goditur rrjetet kriminale transnacionale që e përdorin vendin si pikë kyçe në rrugën e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.