Opozita bëhet “pishman”, thyen bojkotin dhe kthehet në Kuvend
Protestuesit qëllojnë me vezë makinat e Kumbaros dhe Çuçit
Pas një mbledhjeje të grupit parlamentar, Partia Demokratike ka vendosur të rikthehet në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit dhe duke marrë pjesë në seancën plenare të radhës. Deputetët demokratë janë parë duke hyrë në sallë pak minuta para nisjes së seancës, mes tyre Gent Strazimiri, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Sali Berisha dhe Saimir Korreshi.
Për të shmangur përballjen direkte me protestuesit, një pjesë e deputetëve kanë zgjedhur hyrje alternative, duke mos përdorur derën kryesore të Kuvendit, por një akses nga zona e një qendre tregtare pranë institucionit.
Seanca plenare pritet të nisë me procedurat standarde, përfshirë miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 16 korrikut dhe komunikimet zyrtare. Në fokus të rendit të ditës është raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, i cili lidhet drejtpërdrejt me ecurinë e negociatave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Një tjetër pikë e rëndësishme është shqyrtimi i projektligjit për “Shoqëritë Evropiane të Bashkëpunimit (SHEB)”, që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane në fushën ekonomike dhe ndërkufitare.
Në vijim, Kuvendi do të diskutojë dhe votojë tetë projektrezoluta që lidhen me vlerësimin e institucioneve të pavarura dhe atyre të drejtësisë për vitin 2025. Mes institucioneve që do të analizohen janë Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Seanca pritet të përmbyllet me diskutime të lira nga deputetët për çështje jashtë rendit të ditës, sipas rregullores parlamentare.
Ndërkohë, jashtë Kuvendit situata është tensionuar. Një grup qytetarësh u mblodh në protestë paralelisht me zhvillimin e seancës, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe klasës politike.

Gjatë tubimit janë shënuar incidente, ku protestuesit kanë qëlluar me vezë automjetet e disa zyrtarëve dhe deputetëve që hynin në ambientet e Kuvendit. Mes automjeteve të goditura kanë qenë edhe ato të ministres Mirela Kumbaro dhe drejtuesit politik të Vlorës, Bledar Çuçi.

Një moment i tensionuar u regjistrua edhe kur një deputet i mazhorancës, duke iu afruar në këmbë hyrjes së Kuvendit, u bë objekt i goditjeve me vezë nga protestuesit, duke u detyruar të përshpejtojë hapat për të hyrë në godinë.
Protesta, e paralajmëruar fillimisht si paqësore, degradoi në tensione në momentin e mbërritjes së zyrtarëve. U dëgjuan thirrje kundër qeverisë si “Rama jep dorëheqjen” dhe “Nuk na përfaqësoni”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan ndryshim politik.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në zonë janë angazhuar forca të shumta policie, të cilat po monitorojnë situatën gjatë zhvillimit të seancës dhe protestës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



