Opozita sulmon sërish Gonzaton: Ka mbyllur sytë para korrupsionit qeveritar
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi e akuzon diplomatin europian se po mbyll sytë para korrupsionit qeveritar dhe po kthehet në “zëdhënës” të pushtetit.
Sipas tij, problemi më i madh i drejtësisë në Shqipëri nuk është mungesa e prezumimit të pafajësisë, por fakti që për vite me radhë nuk është respektuar parimi i barazisë përpara ligjit.
“Shqipëria nuk ka vuajtur nga mosrespektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, por nga cenimi permanent i barazisë para ligjit, ku disa kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë certifikatën e ‘personave të paprekshëm’”, – shkruan Bardhi.
Ai kujton se qëllimi kryesor i Reformës në Drejtësi ka qenë pikërisht lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe jo mbrojtja e zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion.
Duke iu referuar rastit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për procedurat e tenderit të Tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro, Bardhi thekson se hetimi ka provuar se “fituesi ishte paracaktuar dhe ishte shkelur barazia në garë”.
“Për këdo që nuk dëshiron të identifikohet si zëdhënës i korrupsionit të Belinda Ballukut, mjafton të kujtojë faktin se ajo është marrë e pandehur nga SPAK. Kjo përbën shkelje të hapur të MSA-së BE–Shqipëri”, – shkruan Bardhi.
Sipas tij, bizneset turke po zëvendësojnë me shpejtësi investitorët seriozë evropianë, duke u favorizuar në mënyrë të padrejtë nga qeveria shqiptare.
“Edi Rama dhe kushdo që mbron Ballukun duhet të kujtohet se barazia para ligjit është themeli i një shoqërie evropiane dhe demokratike”, – shton Bardhi.
Në fund të reagimit, ai thekson se Belinda Balluku nuk mund të përdorë postin e saj për të ushtruar ndikim në hetim.
“Ajo duhet të përballet me drejtësinë pa petkun e pushtetit si numri 2 i qeverisë. Mbajtja e saj në detyrë është mburojë politike dhe presion ndaj Prokurorisë”, – përfundon Bardhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



