OSHEE lë fshatrat e Librazhdit pa drita dhe tallet me banorët
Banorët e disa fshatrave në Librazhd kanë mbetur pa energji elektrike prej rreth dy orësh. Një qytetare rrëfen ndërprerjen e energjisë në Floq, Funarë, Zdrash dhe Oran.
Sipas denoncueses, ndërprerja ka ndodhur pa reshje shiu apo kushte të pazakonta atmosferike. Banorët kanë telefonuar operatorin përgjegjës për të mësuar shkakun e problemit dhe kohën e rikthimit të energjisë, por pretendojnë se nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.
Qytetarja thotë se gjatë një telefonate, operatori i është përgjigjur me tone të ashpra, duke i thënë: “Kur të vijnë, do të vijnë, po nuk erdhën, rrini”.
Situata, sipas saj, është shqetësuese veçanërisht për familjet me fëmijë të vegjël, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike.
Deri më tani nuk jepen detaje mbi shkakun e ndërprerjes. Mbetet për t’u parë nëse operatori përgjegjës do të reagojë për situatën dhe do të sqarojë se kur pritet të rikthehet furnizimi me energji në këto fshatra.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



