Pa taksa dhe pa kontrolle, Kumbaro i jep AADF-së kontrollin e Arsimit
“Marifeti” i përdorur për të shmangur “lupën” e KLSH-së
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u paraqit përpara Komisionit Parlamentar të Edukimit për të sqaruar vendimin e qeverisë për shkrirjen e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe krijimin e një agjencie të re, e cila do të menaxhohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Gjatë raportimit, ministrja mbrojti fort ndryshimin, duke e përshkruar QSHA-në si një institucion të mbingarkuar dhe me kapacitete të kufizuara.
“Volum i jashtëzakonshëm pune. QSHA jep një gamë të gjërë shërbimesh. Stafi punon jashtë orarit, kapacitetet teknologjike dhe logjistike janë të kufizuara. Ka kompleksitet të lartë pune. Shqiptarët që studiuan jashtë po kthehen dhe ka volum pune për njësimin e diplomave”,-tha Kumbaro.
Ajo theksoi se nisma për ndryshimin nuk kishte ardhur drejtpërdrejt nga ministria, por si rezultat i një ekspertize të huaj të sjellë nga AADF.
“AADF nuk ka qëllime fitimi. Ata na sollën ekspertë britanikë nga Cambridge. Nuk na erdhi ne si ministri kjo, por na erdhi pas një ekspertize të thellë”,-u shpreh ministrja.
Megjithatë, gjatë diskutimeve u ngritën pikëpyetje mbi aspektin financiar dhe mënyrën e funksionimit të strukturës së re. Sipas të dhënave, AADF parashikon të investojë rreth 5 milionë euro në një periudhë 10-vjeçare, ndërkohë që vetë QSHA aktualisht gjeneron rreth 1 milion euro në vit nga shërbimet që ofron.
“Funksionimi i Agjencisë do të rregullohet me një dokument të vetëm”,-tha Kumbaro, duke lënë të kuptohet se detajet e plota do të përcaktohen përmes akteve të tjera nënligjore.
Debati u përqendrua veçanërisht te mekanizmat e kontrollit dhe transparencës financiare. Sipas informacioneve të bëra publike, ekziston një marrëveshje që AADF të mos paguajë taksa për shërbimet që do të ofrojë, si dhe të mos i nënshtrohet kontrollit të Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), pavarësisht se do të administrojë fonde publike.
E pyetur mbi këtë çështje, ministrja deklaroi: “Do të kontrollohet nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave”,-tha Kumbaro.
Ndërkohë, deputeti i opozitës Luçiano Boçi ngriti shqetësimin për mungesën e përfshirjes së KLSH-së në ligj: “Pse nuk përmendet në nen edhe KLSH”,-tha Boçi?
Në përgjigje, ministrja u shpreh: “Le ta vendosë Komisioni i Ligjeve nëse e çmon,” thaKumbaro.
Projektligji parashikon që agjencia e re të ketë në administrim një pjesë të konsiderueshme të shërbimeve arsimore, përfshirë organizimin e provimeve shtetërore, licencimet dhe menaxhimin e të dhënave përkatëse.
Ky zhvillim ka nxitur debat mbi balancën mes eficiencës dhe kontrollit publik, duke ngritur shqetësime për përqendrimin e kompetencave në një strukturë të vetme jashtë administratës tradicionale shtetërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



