Paralajmërimi/ Reshjet, e gjithë Shqipëria me të ‘kuqe’ veç dy qarqeve
Duke nisur nga pasditja e sotme (29 nëntor) reshjet e shiut do të shtrihen në të gjithë territorin dhe do të jenë më të dukshme gjatë orëve të natës dhe gjatë ditës së nesërme (dt.30).
Paralelisht intensiteti i reshjeve do të pësojë rritje të vazhdueshme nga ora në orë, për të arritur nesër vlera të larta deri në 100mm/24orë. Reshjet do të shoqërohen me prani të lartë të RRUFEVE dhe ERË të fortë.
Në këtë situatë meteorologjike Instituti i Gjeoshkencave publikoi hartën me qarqet më të rrezikuara nga përmbytjet.
Vetëm Durrës e Tirana listohen si zona me rrezikshmëri të moderuar, të tjerat janë të kuqe që do të thotë që rreziku nga rreshejt e shiut është i lartë.
Njoftimi i Institutit të Gjeoshkencave:
Përgjatë datave 30.11.2017 dhe 01 – 02.12.2017 priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa.
Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë. Nga llogaritjet e fundit këto reshje mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet kryesore ( Lezhë,Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër). Shenjat e Alarmit për përmbytje urbane ose nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël janë vendosur në tabelë.
Qarqet më të rrezikuara janë Fier dhe Vlorë. Ka mundësi për përmbytje në basenin e lumit Vjosa. Gjithashtu edhe basenet Seman dhe Shkumbin mund të kenë përmbytje përgjatë fundit të ditës së Premte (dt. 01 Dhjetor 2017).
Në qarqet e vendit është vendosur shenja e rrëshqitjeve të tokës për shkak të intensitetit shumë të lartë të reshjeve dhe vërshimeve nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



