Paratë e pista të ndërtimit po mbajnë në këmbë ekonominë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër qeverinë Rama për mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, të cilin e cilëson si “motorin” e ekonomisë së vendit, një ekonomi që sipas tij, mbahet në këmbë vetëm nga krimi dhe paratë e drogës.
Në një reagim publik, Berisha theksoi se në Shqipëri janë mbi 56 mijë apartamente që qëndrojnë bosh, pasi nuk janë ndërtuar për qytetarët, por për të fshehur dhe pastruar miliarda euro që burojnë nga aktivitetet kriminale.
“Ekonomia e narko-shtetit mbahet nga pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit. Ndërkohë që 56 mijë apartamente janë bosh, qytetarët e ndershëm nuk përballojnë dot as një metër katror në kullat që ngrihen me para droge,” deklaroi Berisha në rrjetet sociale.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse çmimet e apartamenteve në Tiranë dhe qytetet e mëdha janë jashtë çdo realiteti ekonomik për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Ndërkohë që pagat janë të ulëta dhe varfëria rritet, ndërtimet luksoze shumëfishohen – një kontrast që tregon qartë, sipas Berishës, kapjen e tregut nga paratë e pista.
Ai akuzon qeverinë se jo vetëm mbyll sytë ndaj këtij fenomeni, por e ushqen atë, duke i dhënë leje ndërtimi klientëve të lidhur me krimin, ndërsa e lë në harresë qytetarin e thjeshtë që nuk ka mundësi të blejë një strehë për familjen e vet.
Berisha e mbyll reagimin e tij me një thirrje për hetim ndërkombëtar mbi burimin e financimeve në sektorin e ndërtimit dhe për ndalimin e pastrimit të parave që, sipas tij, ka deformuar tregun dhe ka rrënuar ekonominë reale shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



