Pas tensioneve dhe arrestimeve, sot dita e 102 e revoltës qytetare
Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike hyn sot në ditën e 102-të, pas një dite të tensionuar në Tiranë, ku përplasjet me Policinë u shoqëruan edhe me bllokime të përkohshme të disa prej akseve dhe kryqëzimeve kryesore të kryeqytetit.
Pas protestës së së martës, qytetarët pritet të mblidhen sërish sot. Ajo që u vu re gjatë ditës së 101-të ishte ndryshimi i mënyrës së protestimit, pasi përveç marshimit në rrugët e Tiranës, protestuesit u ndalën në disa pika të rëndësishme të qarkullimit dhe bllokuan trafikun për disa minuta.
Dita e 101-të e protestës nisi pranë Kuvendit të Shqipërisë, në një kohë kur zhvillohej seanca e parë plenare e sesionit të ri parlamentar. Situata mbeti e tensionuar për më shumë se dy orë, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Gjatë tubimit u raportua se protestuesit hodhën vezë dhe domate në drejtim të disa automjeteve që lidhen me deputetë dhe efektivë të Policisë. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit për lirimin e hapësirës pranë Parlamentit, protesta vijoi në zona të tjera të Tiranës.
Protestuesit nisën një marshim nëpër kryeqytet, duke ndryshuar disa herë itinerarin. Në disa prej ndalesave, ata bllokuan përkohësisht kryqëzime dhe rrugë të rëndësishme, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Më vonë, turma u zhvendos drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës dhe Komisariatit nr. 6. Atje protestuesit kërkuan lirimin e personave të shoqëruar gjatë përplasjeve të zhvilluara më herët.
“Lironi shqipet” dhe “Nuk jeni vetëm” ishin disa prej thirrjeve të dëgjuara pranë ambienteve të komisariatit. Gjatë mbrëmjes u raportua edhe lirimi i gazetarit Shpend Gashi, ndërsa numri i personave të shoqëruar gjatë protestës u raportua rreth 20.
Në këtë situatë, dita e 102-të nis me pikëpyetje për vijimin e protestës dhe mënyrën se si do të zhvillohet ajo. Nëse në ditët e mëparshme fokusi kryesor ka qenë marshimi dhe tubimi, bllokimi i përkohshëm i kryqëzimeve gjatë protestës së fundit përbën një tjetër formë presioni ndaj autoriteteve.
Mbetet për t’u parë nëse kjo mënyrë reagimi do të përsëritet edhe sot dhe nëse protesta do të hyjë në një fazë tjetër përshkallëzimi. Qytetarët vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe largimin e qeverisë, ndërsa protesta tashmë ka kaluar pragun e 100 ditëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



