E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përjashtimi i mbështetësve të Salianjit, anëtarët i shkojnë në seli Berishës
Lajme

Përjashtimi i mbështetësve të Salianjit, anëtarët i shkojnë në seli Berishës

Tensionet brenda Partisë Demokratike janë zhvendosur në selinë qendrore, ku përfaqësues nga Durrësi kanë kërkuar sqarime direkte nga lidershipi. Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Dritan Burgija, së bashku me sekretarin e degës, Arlind Boshku, janë paraqitur në seli për të kundërshtuar vendimin për përjashtimin e tyre.

Dy demokratët e cilësojnë vendimin si të padrejtë dhe në shkelje të statutit të partisë, ndërsa kërkojnë një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kryetarin e PD-së, Sali Berisha.

Në një deklaratë për mediat, Burgija theksoi se për të kjo nuk është çështje postesh, por dinjiteti personal dhe politik. Ai rikujtoi edhe qëndrimin e tij në vitin 2021, kur kishte dalë publikisht në mbrojtje të Berishës, ndërsa sot – sipas tij – kërkon të njëjtin standard për veten.

“Duam shpjegime për përjashtimin tim dhe të kolegut tim. Çdo rresht i vendimit është anti-statut. Kemi kërkuar fakte dhe prova për këtë vendim dhe një ballafaqim të hapur me zotin Berisha, pasi akuzat janë shumë të rënda,” u shpreh ai.

Burgija hodhi poshtë kategorikisht pretendimet për bashkëpunim me PS, duke i cilësuar si të pavërteta.

“Nuk kemi bashkëpunuar me PS. Është një gënjeshtër e madhe. Çështja e përmendur lidhet me një pronë private, për të cilën disponoj dokumentacion të rregullt. Nëse ky është shkaku, atëherë është bërë një gabim i rëndë,” deklaroi ai.

Gjithashtu, ai u ndal edhe te dinamika brenda partisë, duke përmendur ndikimin që, sipas tij, ka pasur një takim i organizuar nga Ervin Salianji në Durrës, që – sipas Burgijës – ka vënë në lëvizje strukturat e PD-së.

“Pas asaj foltoreje, deputetët dolën në terren duke thënë se qytetarët nuk po marrin pjesë në takime. Në fakt, u tregua e kundërta. Pse nuk vjen Berisha në Sukth?”, u shpreh ai.

Situata në PD vijon të jetë e tensionuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lidershipi do t’i përgjigjet kërkesës për një përballje të drejtpërdrejtë me bazën në Durrës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.