E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përplasje për ‘Territorialen’, PS do 46 bashki, PD kërkon 100
Lajme

Përplasje për ‘Territorialen’, PS do 46 bashki, PD kërkon 100

Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e projektligjit për hartën e re territoriale të Shqipërisë, duke rikthyer në qendër të debatit propozimet e ndryshme për numrin e bashkive.

Në tryezën e komisionit është nisma e Partisë Socialiste, e cila parashikon riorganizimin e territorit në 46 bashki. Përballë këtij varianti, Partia Demokratike ka paraqitur një alternativë që propozon 100 bashki dhe kërkon që për të të zhvillohet një raund i ri konsultimi publik.

PD kundërshton miratimin e shpejtë të variantit të PS-së dhe synon që procedura e konsultimit të zgjerohet përpara afatit të parashikuar për miratimin e reformës, më 8 tetor.

Nga ana tjetër, mazhoranca ka bërë të qartë se do të vijojë me shqyrtimin e nismës së saj për 46 bashki.

Bylykbashi: Reforma e 2014 solli erozion social dhe institucional

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, e kundërshtoi mënyrën se si po zhvillohet procesi, duke argumentuar se reforma territoriale e vitit 2014 ka sjellë pasoja negative në komunitete.

“Nga keq, e çoni akoma më keq”, deklaroi Bylykbashi, duke shtuar se opozita ka paraqitur propozimin për kalimin në 100 bashki.

Sipas tij, reforma e vitit 2014 ka shkaktuar “erozion social dhe institucional”, ndërsa largimi i banorëve nga zonat e ndryshme ka ndikuar në funksionimin e njësive vendore.

Bylykbashi akuzoi gjithashtu mazhorancën se konsultimet publike nuk kanë qenë reale dhe se vendimmarrja po bëhet sipas vullnetit të kryeministrit.

“Ju nuk jeni konsultuar me komunitetet”, tha deputeti demokrat, duke kërkuar që dy nismat të trajtohen së bashku.

Sipas Bylykbashit, propozimi i opozitës duhet t’i nënshtrohet të njëjtës procedurë konsultimi publik që është ndjekur për draftin e PS-së.

“Bashkoni nismën tuaj legjislative, bashkoni dy nismat dhe bëni procedurë të njëjtë”, kërkoi ai.

Manja: Komisioni do të vijojë me projektligjin e PS-së

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, iu përgjigj kërkesës së opozitës duke kërkuar që nisma e saj të depozitohet zyrtarisht.

“Silleni nismën tuaj, kur ta kemi në tavolinë do flasim”, deklaroi Manja.

Ai bëri të qartë se Komisioni i Ligjeve do të vijojë procedurën për shqyrtimin e projektligjit të paraqitur nga Partia Socialiste.

Korreshi ironizon procesin: “Pse, byrek është ky?”

Debati u shoqërua edhe me tone ironike nga deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili kundërshtoi ritmin e procesit dhe kërkoi që edhe propozimi alternativ të merret seriozisht në shqyrtim.

“Pse, byrek është ky, nga ata të ngrirët që e fut në furrë e del për 4 minuta?”, tha Korreshi, duke ironizuar kohën e shkurtër që, sipas tij, po i lihet procesit.

Ai vijoi me një tjetër batutë: “Edhe Diella me AI të kishte ardhur, nuk do ishte bërë”.

Sipas Korreshit, nuk mund t’u paraqitet qytetarëve një reformë e tillë pa u dëgjuar edhe varianti tjetër.

“Është dhe ky varianti ynë tjetër. I mirë, i keq, le ta shohim. Duhet dëgjuar varianti tjetër”, deklaroi deputeti.

Korreshi ngriti shqetësimin edhe për funksionimin praktik të njësive vendore, duke argumentuar se zgjerimi i territorit të bashkive mund të krijojë vështirësi për qytetarët në marrjen e shërbimeve.

“Do marrë qytetari dang-dang autobusin 2 orë, për të shkuar në bashki të mbajë radhën, e jo më të zgjidhë gjë”, tha ai.

Në vijim, deputeti ngriti edhe pyetjen se si do të mund të menaxhohen problemet e përditshme të zonave të largëta nga qendrat e bashkive.

“Do merret ai kryetar me gardhin?”, u shpreh Korreshi, duke vënë në pikëpyetje kapacitetin e një bashkie me territor të zgjeruar për t’u marrë me problematikat konkrete të komuniteteve.

Debati në Komisionin e Ligjeve pritet të vijojë në ditët në vazhdim, ndërsa përballë njëri-tjetrit janë dy modele të ndryshme: propozimi i mazhorancës për 46 bashki dhe alternativa e opozitës për 100 bashki.

Në qendër të përplasjes nuk është vetëm numri i njësive vendore, por edhe mënyra se si duhet të zhvillohet procesi i konsultimit publik dhe se si riorganizimi territorial do të ndikojë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.