“Piku” i turizmit, qeveria kërkon borxh nga qytetarët
Në kulmin e sezonit turistik, kur shumica e qytetarëve po kalojnë pushimet e tyre vjetore, qeveria duket se ka zgjedhur që t’u kërkojë atyre parà në formë huaje. Gjë të cilën ajo po e realizon pikërisht përmes organizimit të ankandeve të radhës së bonove të thesarit apo obligacioneve. Të dyja, të njohura si letra me vlerë, një formë investimi kjo e qytetarëve, paratë e të cilëve gjejnë më pas përdorim nga autoritetet shtetërore, duke u kthyer atyre mbrapsht normat e interesit. Këto të fundit, janë të njohura për nivelet më të larta që kanë në krahasim me format e tjera të investimit të parave, siç mund të jenë kursimet në banka, në formë depozitash apo llogarish. Kësisoj, ato janë të preferuara prej tyre e mesa duket, edhe qeveria e përdor këtë fakt për të përfituar nga huadhënia publike si e tillë, për të mbuluar shpenzime të caktuara në këtë periudhë të vitit, e cila përkon në të njëjtën kohë edhe me një rënie të të ardhurave të saj, pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që u zhvilluan në muajin qershor. Konkretisht, nëse i referohemi listës së ofruar nga qeveria, përmes ministrisë së Financave për zhvillimin e ankandeve të letrave me vlerë, do të shohim se muajt korrik dhe gusht janë të mbushura me datat e tyre përkatëse. Më në detaje, qeveria njofton zhvillimin e ankandit të saj të radhës ditën e sotme, më 25 korrik 2017, për bono thesari me afat maturimi 1-vjeçar, duke kërkuar nga publiku i gjerë plot 8.2 miliardë lekë. Ndërsa në datën 20 korrik, risjellim ndërmend faktin se ajo zhvilloi ankandin e obligacioneve me maturim 2-vjeçar, për 4.5 miliardë lekë. Sikundër, zhvilloi edhe dy të tilla në datën 7 korrik, respektivisht për bono thesari me afat maturimi 6 dhe 12-mujor, që kapnin së bashku një vlerë deri 14 miliardë lekë. Në total, huamarrja e qeverisë nga qytetarët gjatë muajit korrik të këtij viti kap një shifër deri 29 miliardë lekë. Kurse në muajin gusht, prej saj është programuar prej saj që të emetojë në total 25 miliardë lekë, përmes ankandeve të letrave me vlerë. Konkretisht, sipas të dhënave që referon vetë ministria e Financave, rezulton se dy të tilla janë parashikuar të zhvillohen në datën 8 gusht, për bono thesari me afat maturimi 6 dhe 12-mujore. Pasuar nga një tjetër ankand i datës 22 gusht, përmes të cilit qeveria do të kërkojë nga publiku i gjerë plot 8.2 miliardë lekë, përmes bonove të thesarit 12-mujore. Pa harruar që të përfshijmë këtu, as edhe ankandin e parë të muajit gusht, parashikuar pikërisht për t’u zhvilluar mbi obligacionet me afat maturimi deri 5-vjeçare, kundrejt 6.5 miliardë lekëve.
Preferohet dhe hua në euro, paguhet më lirë
Teksa ka parashikuar që të zhvillojë disa ankande për huamarrje në monedhën vendase, lek, qeveria ka parashikuar që gjatë kësaj vere të zhvillojë edhe një ankand të obligacioneve në monedhën evropiane, euro. Fjala është konkretisht, për ankandin e datës 17 gusht, gjatë të cilit ministria e Financave do të ofrojë për shitje obligacione 2-vjeçare në vlerën e 45 milionë eurove. Duket se në këtë mënyrë, qeveria do të vazhdojë edhe sivjet traditën e huamarrjes në euro, sidomos në sezonin veror. Sepse kështu qeveria shfrytëzon shtimin e likuiditeteve të lira në monedhën evropiane që krijohen gjatë kësaj periudhe nga prurjet e saj prej emigrantëve apo edhe turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë, për të siguruar kështu financime me norma më të ulëta interesi. Kujtojmë sakaq se Ministria e Financave e ka paralajmëruar një zhvendosje të pjesshme të huamarrjes së brendshme drejt euros, edhe në relacionin e buxhetit të këtij viti. Është fakt që në vitet e fundit, është regjistruar një rritje e ndjeshme e depozitave në monedhën evropiane, ndërsa kreditimi në të ka rënë. Kujtojmë sakaq se ankandi i fundit i obligacioneve në euro u organizua më datë 20 janar të këtij viti, teksa qeveria shiti obligacione për afro 40 milionë euro dhe interesi arriti në nivelin prej 0.8%.
Nga muaji shtator, nis rënia e kërkesës së qeverisë për të marrë hua nga qytetarët
Teksa dy muajt, korrik dhe gusht të këtij viti, janë të mbushura me një listë ankandesh të letrave me vlerë të qeverisë, duket se shumat e parave të caktuara për huamarrje ndaj publikut të gjerë përmes tyre do të pakësohen me ardhjen e muajit shtator. Duke bërë kështu që qeveria të shfrytëzojë dy muajt intensive të sezonit turistik, kur mbërrijnë emigrantët për të pretenduar një tërheqje më të madhe parash prej tyre, në formën e investimit në bono thesari apo obligacione qeveritare. Konkretisht, lista e ofruar nga ministria e Financave paraqet gjatë muajit shtator një total kërkese për huamarrje nga publiku i gjerë që arrin shifrën e 18.3 miliardë lekëve. Ajo rezulton që të jetë më e ulët sesa ajo e ofruar kërkuar deri në 19 miliardë lekë në muajin korrik apo 25 miliardë lekë gjatë muajit gusht të këtij viti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



