Plas në PD, Salianji shpërthen ndaj Nokës: Ke shkatërruar partinë, dorëhiqu
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se do të vijojë takimet me strukturat dhe mbështetësit demokratë, me synimin për riorganizimin e partisë dhe rikthimin e shpresës në kampin e djathtë, në mënyrë që PD të shndërrohet në një alternativë reale për qeverisje.
Në një prononcim për mediat, Salianji foli edhe për zhvillimet e fundit politike të diskutuara në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, e cila u shoqërua me debate të forta. Ai tha se Partia Demokratike vuan nga paqartësi serioze në vendimmarrje, për të cilat mbajti përgjegjës Sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Noka.
Sipas Salianjit, mënyra se si është menaxhuar organizimi i protestave kundër qeverisë, në lidhje me skandalin Rama–Balluku, është tregues i kësaj paqartësie. Ai u shpreh se kishte kërkuar prej kohësh reagim të fortë opozitar dhe u shpreh i kënaqur që protesta e 22 dhjetorit më në fund u miratua, por ironizoi faktin se protesta zgjati më shumë ndaj demokratëve të pakënaqur sesa ndaj zv/kryeministres Balluku.
I pyetur nëse mbledhja e Kryesisë ishte thirrur kundër tij, Salianji mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se përplasjet dhe debatet janë pjesë e pashmangshme e çdo procesi ndryshimi. Ai shtoi se çdo akuzë ndaj tij do të marrë përgjigje me fakte dhe emra konkretë.
Lidhur me kërkesën për dorëheqjen e Flamur Nokës, Salianji deklaroi se i qëndron këtij qëndrimi, duke theksuar se paqartësitë e përsëritura në vendimmarrje e bëjnë atë përgjegjës. Ai solli si shembull precedentë politikë nga e kaluara, duke theksuar se në raste të tilla përgjegjësia politike duhet marrë pa hezitim. “Nuk mund të mbetemi peng i interesave personale”, u shpreh ai.
Salianji bëri përgjegjës drejtuesit e Partisë Demokratike edhe për situatën e krijuar me Avokatin e Popullit, duke theksuar se gabimet në këtë proces janë pasojë e mungesës së qartësisë dhe vendimmarrjes së drejtë në krye të partisë.
Sa i përket akuzave se kishte telefonuar deputetë për mbledhjen e firmave në mbështetje të Endri Shabanit, Salianji reagoi duke deklaruar se ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt në këtë proces, pavarësisht se nuk mban mandat deputeti, duke ironizuar akuzat që i janë bërë në mbledhje.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së PD-së bëjnë me dije se përplasjet mes Salianjit, Flamur Nokës dhe Sali Berishës kanë qenë të ashpra. Gjatë debatit, Noka i është drejtuar Salianjit me akuza se me veprimet e tij po i shërben kundërshtarëve politikë.
Nga ana tjetër, Salianji i është përgjigjur drejtpërdrejt duke i kërkuar Nokës dorëheqjen, duke e akuzuar se ka dëmtuar rëndë Partinë Demokratike dhe se mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për gabimin e bërë në rastin e Avokatit të Popullit.
Pas përfundimit të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, doli në një prononcim për mediat, ku hodhi poshtë kërkesën për dorëheqje. Ai deklaroi se një veprim i tillë do t’i shërbente vetëm kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Në lidhje me firmat e dhëna për Avokatin e Popullit, Noka tha se PD dhe drejtuesit e saj kanë kërkuar ndjesë publike, duke e cilësuar situatën si një veprim të nxituar. Ai sqaroi se më pas është kërkuar tërheqja e firmave, në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe brenda afateve ligjore.
Në fund, Noka u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 22 dhjetorit, në orën 17:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke paralajmëruar vijimin e protestave deri në krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



