Plas në PS? Spiropali ‘shpërthen’ ndaj Ramës, bojkoton grupin socialist

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Tensionet brenda Partisë Socialiste duket se janë thelluar pas lëvizjeve të fundit politike në qeveri dhe në strukturat parlamentare. Elisa Spiropali ka vendosur të bojkotojë mbledhjen e grupit parlamentar socialist këtë të enjte, në një veprim që interpretohet si një sinjal i qartë pakënaqësie ndaj vendimeve të kryeministrit dhe kryetarit të PS, Edi Rama.

Sipas burimeve nga brenda mazhorancës, vendimi i Spiropalit vjen pasi ajo u la jashtë strukturave drejtuese si në qeveri ashtu edhe në komisionet parlamentare. Rama jo vetëm që e shkarkoi nga posti ministror, por gjithashtu vendosi që ajo të mos jetë më pjesë e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit.

Ky zhvillim është parë nga shumë socialistë si një goditje politike për Spiropalin, ndërsa brenda partisë flitet për pakënaqësi në rritje lidhur me mënyrën se si janë ndarë postet pas riorganizimit të kabinetit.

Mësohet se Spiropali nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist që i parapriu seancës plenare të kësaj të enjteje. Në të njëjtën linjë me të, mbledhjen e ka bojkotuar edhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj.

Mbledhja e grupit socialist vjen në një moment delikat politik, pasi në seancën parlamentare pritet të diskutohet që në fillim çështja e imunitetit të Belinda Ballukut, një temë që ka ngjallur debat të fortë politik dhe mediatik.

Publikuar nga Publik Media