Plas sherri në Bashki, Dokushi i Veliajt i shpall “luftë” Ristanit
Kryetarja e komanduar refuzoi t’a rikthejë në detyrë, ky i fundit e kallëzon penalisht
Një konflikt i hapur institucional ka shpërthyer në Bashkinë e Tiranës, duke vendosur përballë njëri-tjetrit kryetaren e komanduar Anuela Ristani dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi, i rikthyer në detyrë me vendim gjykate.
Situata u përshkallëzua pasi Dokushi, i shkarkuar pas arrestimit të Erion Veliajt, fitoi të drejtën ligjore për t’u rikthyer në funksionin e mëparshëm. Në zbatim të këtij vendimi, vetë Veliaj firmosi rikthimin e tij në një nga postet më kyçe të administratës së Bashkisë së Tiranës.
Por ndryshe nga pritshmëritë, Anuela Ristani nuk e zbatoi urdhrin. Në vend të rikthimit si Sekretar i Përgjithshëm, ajo e emëroi Dokushin në drejtimin e një drejtorie, një lëvizje që ka ndezur përplasjen mes palëve.
Pas këtij zhvillimi, Alban Dokushi ka ndërmarrë hapa ligjorë duke depozituar kallëzim penal ndaj Ristanit. Ai e akuzon për shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, ndërsa çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga organet e prokurorisë.
Përplasja nuk duket thjesht administrative. Ajo pasqyron një tension më të thellë për kontrollin e Bashkisë së Tiranës, sidomos në kushtet e krijuara pas arrestimit të Erion Veliajt.
Emërimi i Ristanit nga kryeministri Edi Rama kishte për qëllim garantimin e vijimësisë së funksionimit institucional gjatë mungesës së Veliajt. Ndërkohë, nga paraburgimi, Veliaj ndërhyri duke rikthyer në detyrë një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, duke e vendosur në një pozicion kyç në administratë.
Refuzimi i këtij rikthimi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi autoritetin real në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe raportet mes aktorëve kryesorë brenda saj. Nëse kemi të bëjmë me një përplasje mbi interpretimin e kompetencave ligjore apo një betejë të brendshme për pushtet, kjo mbetet për t’u parë.
E sigurt është se tensionet në Bashkinë e Tiranës nuk janë mbyllur me arrestimin e Veliajt, por kanë hyrë në një fazë të re, me pasoja të mundshme politike dhe institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



