Plas sherri në PD, anëtari i kryesisë largohet në mes të mbledhjes
“Ne vijmë të flasim, ju na ndaloni”
Tensione dhe përplasje në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Anëtari i Kryesisë së PD, Dritan Burgia, është larguar në mënyrë demonstrative nga salla ku po zhvillohej me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit Kombëtar, duke sinjalizuar hapur pakënaqësitë dhe ndarjet e brendshme në parti.
Sipas burimeve nga brenda mbledhjes, largimi i Burgias erdhi pasi drejtuesit e forumit vendosën të ndalonin diskutimet për çdo çështje tjetër, duke lejuar vetëm debate të fokusuara te protesta kombëtare e thirrur për datën 22 dhjetor.
“Ne vijmë të flasim në forume, ndërsa na thuhet se nuk lejohet të flasim për asgjë veç protestës”, është shprehur Burgia para se të largohej nga salla, në një reagim që pasqyron klimën e tensionuar dhe mungesën e hapësirës për debat brenda strukturave drejtuese të PD-së.
Dritan Burgia njihet si një nga organizatorët e takimit të parë të zhvilluar nga Ervin Salianji në Durrës, në kuadër të përpjekjeve për riorganizimin dhe rienergjizimin e Partisë Demokratike. Për këtë rol, ai ishte sulmuar më herët edhe në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ku u akuzua se bashkëpunon me Partinë Socialiste.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar zgjati rreth dy orë dhe, përveç fjalimit të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, u zhvilluan edhe diskutime me dyer të mbyllura mes anëtarëve. Tema kryesore mbeti protesta e 22 dhjetorit, ndërsa u trajtua edhe një propozim i Lisandër Hoxhës për ndryshime statutore, që synojnë largimin nga PD të eksponentëve të lidhur me fondacionin Soros.
Megjithatë, tensionet kulmuan me largimin demonstrativ të Burgias, duke konfirmuar se përplasjet dhe pakënaqësitë brenda Partisë Demokratike janë gjithnjë e më të hapura dhe se debatet e brendshme po zëvendësohen nga vendime të njëanshme dhe kontroll i fortë i fjalës në forumet drejtuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



