Policia aksion antidrogë në Laç, 7 persona në pranga
Policia e Lezhës ka goditur një grup të dyshuar kriminal në qytetin e Laçit, në kuadër të operacionit të koduar “Perimetri 2”, i zhvilluar pas disa muajsh hetime intensive.
Si rezultat i aksionit, u arrestuan 7 persona, ndërsa autoritetet sekuestruan lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa, 6 automjete, telefona celularë dhe disa pajisje elektronike që përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Hetimet tregojnë se grupi siguronte lëndën narkotike, e ndante në doza dhe e shpërndante në zona të ndryshme të qytetit të Laçit. Sipas burimeve, në disa raste, aktiviteti i shitjes së drogës zhvillohej edhe në afërsi të institucioneve arsimore, duke rritur rrezikun për përfshirjen e të rinjve.
Operacioni u realizua nga strukturat e specializuara të Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe nën drejtimin e Prokurorisë përkatëse. Gjatë ndërhyrjes, u dokumentua veprimtaria kriminale dhe u bë i mundur ndalimi dhe arrestimi i personave të përfshirë.
Një tjetër element i zbuluar gjatë operacionit ishte funksionimi i një lokali të paligjshëm, ku organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast u vu në pranga pronari i ambientit, i cili rezulton të jetë familjar i dy prej të arrestuarve dhe nuk kishte regjistruar aktivitetin sipas kërkesave ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për vijimin e hetimeve dhe ndjekjen e mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



