Presidenti sirian i mbyll zyrën vëllait për korrupsion
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa ka nisur një fushatë të paprecedentë kundër korrupsionit, duke filluar nga vetë familja e tij dhe zyrtarët e shtetit.
Sipas agjencisë Reuters, Sharaa ka urdhëruar mbylljen e zyrës së vëllait të tij të madh, Jamal, dhe ka kërkuar që nëpunësit shtetërorë që zotërojnë makina luksoze të dorëzojnë çelësat ose të përballen me hetim për pasuri të pajustifikuar.
Në një takim më 30 gusht në bazën e tij të dikurshme në Idlib, presidenti ironizoi të pranishmit që kishin ardhur me makina luksoze:
“S’kisha kuptuar që pagat e shtetit qenkan kaq të larta!”, citohet të ketë thënë ai, sipas burimeve.
Sharaa më pas mblodhi familjen e tij, duke përfshirë edhe babanë 79-vjeçar, dhe i paralajmëroi që të mos përdorin emrin e familjes për përfitime personale.
Ministria siriane e Informacionit konfirmoi mbylljen e zyrës së Jamal al-Sharaa, duke theksuar se ai “nuk ka asnjë funksion zyrtar dhe nuk lejohet të ushtrojë veprimtari tregtare”.
Ky veprim tregon një angazhim të fortë të Sharaa për të luftuar korrupsionin brenda radhëve të shtetit dhe familjes së tij, në një moment ku kontrolli mbi pasuritë dhe privilegjet personale ka qenë historikisht një problem në Siri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



