Propagandës iu mbyll dera! Si iu prish qetësia Ramës nga Callaghan që e nxorri nga ‘binarët’
Gazetari i kujtoi kullat, krimin dhe paratë e dyshimta, kryeministri humb durimin
Një intervistë që nisi me projektet turistike të Jared Kushner në Shqipëri përfundoi në një përballje të tensionuar mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit amerikan Andrew Callaghan. Dokumentari i publikuar nga platforma amerikane “Channel 5” trajton një sërë çështjesh të debatueshme për Shqipërinë, nga korrupsioni dhe pastrimi i dyshuar i parave te ndërtimet luksoze, pronat në bregdet dhe marrëdhëniet e pushtetit me persona të përfolur për lidhje me krimin e organizuar.
Callaghan ka udhëtuar drejt Shqipërisë për të investiguar projektet e lidhura me Affinity Partners, kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, por gjatë qëndrimit të tij ka zgjeruar hetimin edhe në çështje të tjera që lidhen me zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore në vend.
Në dokumentar shfaqen intervista me protestues, aktivistë, ish-zyrtarë dhe qytetarë, të cilët ngrenë pikëpyetje mbi burimin e financimeve në sektorin e ndërtimit, transaksionet e pronave dhe ndikimin e mundshëm të grupeve kriminale në ekonominë shqiptare.
Një pjesë e rëndësishme e materialit i kushtohet edhe protestave të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat nisën si kundërshtim ndaj projekteve në zona me rëndësi mjedisore dhe u shndërruan në një lëvizje me kërkesa më të gjera politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit.
Megjithatë, momenti që tërheq më shumë vëmendje është intervista me vetë Edi Ramën. Përballë pyetjeve të gazetarit amerikan për korrupsionin, krimin e organizuar, kullat e Tiranës dhe investimet e Kushnerit, kryeministri ka kundërshtuar disa prej të dhënave dhe interpretimeve të paraqitura, ndërsa në fund ka ndërprerë bisedën dhe është larguar.
Pronat në bregdet dhe projekti i Jared Kushner
Në fokusin e investigimit janë projektet e Affinity Partners në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit. Callaghan ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë siguruar pronat, historikun e dokumentacionit dhe marrëdhëniet mes investitorëve privatë dhe institucioneve shtetërore.
Një prej emrave të përmendur në këtë histori është Artur Shehu, për të cilin dokumentari paraqet pretendime dhe dyshime që lidhen me pronësinë e tokave dhe lidhjet e mundshme me botën e krimit.
Sipas materialit, në proceset e pretenduara të dokumentimit të pronësisë janë përdorur edhe dokumente të vjetra, përfshirë një akt të vitit 1901, i cili lidhet me pretendimet mbi sipërfaqe të rëndësishme toke në bregdet.
Gazetari e vendos këtë çështje në kontekstin e problemeve të pronësisë të krijuara pas rënies së komunizmit, duke ngritur dyshimin se mangësitë dhe paqartësitë në dokumentacion mund të jenë shfrytëzuar për të përfituar prona me vlerë të lartë.
Gjatë intervistës, Rama mohon të ketë njohje personale me Artur Shehun dhe deklaron se nuk e ka takuar asnjëherë.
“Nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë, nuk e di as si duket. Unë nuk jam avokati i tij, nuk jam prokurori i tij, nuk jam gjykatësi i tij. Unë jam kryeministri i Shqipërisë. Dhe ajo që mund të të them është se, për sa kohë një titull pronësie është i regjistruar në regjistrin e pronave të vendit, ai titull është i ligjshëm. Nëse hetimi tregon diçka tjetër dhe nëse gjykata vendos kështu, atëherë titulli do të vihet në diskutim”, deklaron kryeministri.
Sa i përket Sazanit, Rama këmbëngul se nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare mes shtetit shqiptar dhe investitorëve.
“Sazani është tokë publike. Nëse nuk e di, po të informoj. Ndërsa flasim, nuk ka ende një marrëveshje mes Republikës së Shqipërisë dhe grupit që dëshiron të investojë në Sazan. Jemi duke negociuar, nuk ka ende marrëveshje. Nuk ka para, nuk ka projekte, nuk ka ende një marrëveshje. Ne po negociojmë një marrëveshje sepse shpresojmë të krijojmë një sipërmarrje të përbashkët ku Republika e Shqipërisë do të jetë partnere”, shprehet ai.
Dokumentari përmend gjithashtu pretendimin se SPAK ka vendosur në sekuestro 120 milionë euro në kuadër të një hetimi. Rama bën dallimin mes negociatave për Sazanin dhe transaksioneve që lidhen me prona private, duke shpjeguar se fondet e këtyre të fundit do të mbahen në një llogari të kushtëzuar deri në përfundimin e procedurave.
Kullat e Tiranës dhe dyshimet për pastrim parash
Një tjetër bosht i rëndësishëm i dokumentarit është zhvillimi i vrullshëm i sektorit të ndërtimit, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat turistike të bregdetit.
Callaghan viziton ndërtesa dhe komplekse luksoze, përfshirë objekte që duken të pabanuara, ndërsa interviston persona që ngrenë dyshime se pas një pjese të investimeve mund të fshihen para me origjinë të paligjshme, përfshirë të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Në material paraqiten edhe pretendime për përmasat e fenomenit të banesave të pabanuara dhe financimeve me burime të paqarta në tregun e pasurive të paluajtshme.
Dokumentari referon një vlerësim sipas të cilit 56,2% e financimit të pasurive të paluajtshme gjatë periudhës 2015-2024 vinte nga burime të pashpjeguara ose të paligjshme, si dhe përmend mbi 356 mijë banesa të pabanuara në Shqipëri. Megjithatë, metodologjia dhe burimi i plotë i këtyre shifrave nuk sqarohen në materialin e paraqitur.
Gjatë intervistës, gazetari i përmend Ramës shifrën prej 55 mijë apartamentesh të pabanuara në Tiranë, por kryeministri e kundërshton me forcë.
“Edhe kjo është një marrëzi tjetër. Nga ka ardhur kjo shifër? Mund ta kesh lexuar në shumë vende, por kjo nuk do të thotë se është e vërtetë. Kjo është bota në të cilën jetojmë sot. Nuk ekzistojnë 50 mijë apartamente bosh në Shqipëri. Është absurditet. Unë nuk flas këtu si opinionist, si gazetar apo si dikush që ti takon në rrugë. Unë flas si kryeministër i vendit, prandaj kam përgjegjësinë të flas mbi bazën e të dhënave dhe fakteve, jo të pretendimeve”, përgjigjet Rama.
Edhe për numrin e kullave që po ndërtohen në kryeqytet, kryeministri kundërshton përshkrimin e gazetarit, duke pretenduar se përmasat e zhvillimit janë ekzagjeruar.
“Jam kurioz të shoh ku i sheh ti kullat e larta që ndërtohen kudo, sepse ky është një tjetër iluzion optik. Nëse i numëron kullat në Tiranë, nuk do të arrish ende në dhjetë. Dhe nëse numëron kantieret ku po ngrihen ndërtesa të reja, nuk do të arrish ende në dhjetë, sepse unë i numëroj. Nuk është e vërtetë që po planifikohen kulla masive kudo. Pra, do të flasim për fakte apo do të bëjmë një bisedë ku ti hedh gjithfarë gjërash që mendon se i ke parë apo i ke lexuar? Ti zgjedh”, i thotë ai gazetarit.
Përplasja për krimin e organizuar dhe paratë e drogës
Callaghan e zhvendos bisedën edhe te ndikimi i grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe te pretendimet për lidhjet mes parave të drogës dhe sektorit të ndërtimit.
Rama kundërshton ekzistencën e një strukture të organizuar me emërtimin “mafia shqiptare”, duke argumentuar se shqiptarë të përfshirë në rrjete kriminale ekzistojnë, ashtu si shtetas të vendeve të tjera, por kjo nuk do të thotë se ekziston një organizatë shqiptare që kontrollon tregtinë botërore të kokainës.
“Kam dëgjuar të kundërtën, të paktën nga drejtuesi i SPAK-ut disa vite më parë, se nuk ekziston një gjë e tillë si mafia shqiptare. Nuk ekziston. Ka shqiptarë, ashtu siç ka amerikanë, spanjollë, italianë apo të tjerë, që janë të përfshirë në rrjete të tilla në mbarë botën, por nuk ekziston një mafie shqiptare që kontrollon botën e kokainës. Më falni, por kjo është marrëzi”, deklaron kryeministri.
Kur gazetari i referohet të dhënave për financimet e dyshuara me burime të paligjshme në sektorin e pasurive të paluajtshme, Rama kërkon të dijë se nga janë marrë këto shifra dhe mohon që SPAK të ketë bërë një deklarim të tillë.
“SPAK nuk e ka thënë kurrë këtë. SPAK mund të ketë thënë diçka tjetër, se nga paratë e sekuestruara kanë bërë një vlerësim që një pjesë e tyre është investuar në pasuri të paluajtshme. Por SPAK nuk e ka thënë kurrë këtë”, shprehet ai.
Rama mbron bilancin ekonomik dhe turizmin
Përballë kritikave mbi zhvillimin ekonomik dhe kontrastin mes ndërtimeve luksoze dhe vështirësive të qytetarëve, Rama mbron bilancin e qeverisë së tij.
Kryeministri përmend rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe zhvillimin e turizmit, duke deklaruar se numri i vizitorëve është rritur nga më pak se dy milionë në mbi 12 milionë, ndërsa të ardhurat nga ky sektor kanë kaluar tetë miliardë euro.
Këto shifra paraqiten nga vetë Rama gjatë intervistës, në përpjekje për të kundërshtuar fokusin e gazetarit te problemet ekonomike dhe akuzat për korrupsion.
“Ka shumë lajme të mira për Shqipërinë, por ti nuk je këtu për lajmet e mira, je këtu për lajmet e këqija. Prandaj po përpiqem të vendos një ekuilibër”, i thotë ai Callaghan.
Jahti i Kushnerit dhe takimi me Ivanka Trump
Një tjetër temë e ngritur gjatë intervistës është marrëdhënia e kryeministrit me Jared Kushner dhe bashkëshorten e tij, Ivanka Trump.
Gazetari e pyet Ramën për raportimet lidhur me një udhëtim të përbashkët me jaht, por kreu i qeverisë e mohon këtë version.
Sipas tij, ai i ka takuar Kushner dhe Ivanka Trump vetëm gjatë qëndrimit të jahtit në portin e Durrësit, ku mjeti lundrues ishte ndalur për furnizim.
“Unë nuk kam bërë kurrë një udhëtim me jaht me Ivankën dhe Jaredin. Shkova t’i përshëndes kur ndaluan në portin e Durrësit për furnizim. I takova në jaht, ndërsa ai ishte i ankoruar në port. Hëngrëm darkë dhe unë u largova për në shtëpinë time”, sqaron Rama.
Pyetjet për zyrtarët nën hetim dhe përgjegjësinë politike
Intervista bëhet edhe më e tensionuar kur Callaghan e pyet kryeministrin për zyrtarë të qeverisë që janë përballur me hetime dhe akuza penale, si dhe për investitorin strategjik Pëllumb Gjoka.
Rama këmbëngul se përgjegjësia është individuale dhe se personat e përfshirë në hetime duhet të trajtohen në respekt të prezumimit të pafajësisë. Ai kundërshton mënyrën se si gazetari kalon nga një rast te tjetri, duke kërkuar që biseda të përqendrohet te faktet dhe projektet konkrete.
“Çfarë po përpiqesh të bësh këtu? Nuk e kuptoj. Nuk jam këtu për të ushqyer kuriozitetin tënd. Ti mund të kesh gjithë kuriozitetet që dëshiron, por a mund të bësh pyetje për faktet dhe projektin, apo je këtu për të kaluar nga një çështje te tjetra?”, reagon kryeministri.
Gazetari i përgjigjet se synimi i tij është të kuptojë se si funksionon përgjegjësia për korrupsionin dhe se pyetjet i japin Ramës mundësinë të sqarojë qëndrimin e tij për këto çështje.
Por kryeministri vijon me tone të ashpra, duke kundërshtuar edhe pyetjen se si ndihet për korrupsionin.
“Unë nuk jam këtu për të ndarë ndjenjat e mia me ty, djalosh. Jam këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi faktet. Ti ke ardhur nga Amerika për të bërë çfarë? Për të bërë thashetheme me mua? Unë nuk kam nevojë për mundësitë që më jep ti. Jam këtu thjesht për të të mirëpritur, duke të dhënë me respekt kohën time të çmuar, dhe ti duhet ta përdorësh kohën time me respekt”, i thotë Rama gazetarit amerikan.
Përplasja për Hamasin dhe fashizmin, Rama largohet nga intervista
Në pjesën e fundit të bisedës, temat zhvendosen te konflikti izraelito-palestinez, Hamasi, rreziku i fashizmit dhe zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara.
Rama e cilëson Hamasin si një shfaqje të fashizmit dhe shpreh shqetësimin për ndikimin e dezinformimit dhe polarizimit në demokraci. Callaghan e pyet gjithashtu për rritjen e ekstremizmit dhe nëse zhvillimet politike në SHBA mund të përbëjnë rrezik për institucionet demokratike.
Kryeministri kundërshton disa prej interpretimeve të gazetarit, duke i kujtuar se një pjesë e çështjeve të ngritura lidhen me debatin e brendshëm amerikan.
Në fund, Rama vendos ta ndërpresë intervistën. Përpara largimit, ai shprehet se gazetari mund t’i diskutojë këto tema me qytetarë të tjerë amerikanë, të cilët kanë qëndrime të ndryshme për zhvillimet politike në vendin e tyre.
“Mendoj se diskutimi ishte shumë interesant. Shpresoj që shikuesit e tu të jenë argëtuar. Tani, fusha ku ke hyrë është tërësisht e jotja. Mund të gjesh amerikanë të tjerë për t’i diskutuar këto gjëra. Jam i sigurt se do të gjesh njerëz që mendojnë si ti dhe të tjerë që mendojnë ndryshe. Dhe përsëri do të ketë një konfuzion të madh mes jush, sepse baza e përbashkët ka humbur dhe kështu, të gjithë ne, pa e kuptuar, ndihmojmë që fashizmi të afrohet më shumë”, deklaron Rama.
Pas këtyre fjalëve, kryeministri përshëndet gazetarin me fjalët “Faleminderit shumë. Shihemi. Mirupafshim” dhe largohet, duke i dhënë fund intervistës.
Dokumentari i “Channel 5” vendos kështu përballë njëri-tjetrit pretendimet e ngritura nga të intervistuarit dhe kundërshtimet e kryeministrit, ndërsa çështjet e pronësisë, burimit të financimeve, investimeve strategjike dhe përgjegjësisë së zyrtarëve mbeten në qendër të debatit publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



