Protesta e PD, Policia: Nuk marrim përsipër zhvillimin e tubimit!
Opozita ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste kombëtare këtë të premte para godinës së Kryeministrisë, në qendër të Tiranës.
Në një reagim zyrtar, Policia e Tiranës bëri me dije se, duke u bazuar në analizën e riskut dhe në incidentet e shënuara në tubimin e mëparshëm – ku pati hedhje molotovësh dhe mjete piroteknike ndaj forcave të rendit – nuk merr përsipër përgjegjësinë për mbarëvajtjen e protestës.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se, nëse subjekti politik vendos ta zhvillojë tubimin, janë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në përputhje me ligjin “Për tubimet”.
Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 15:00 e datës 20.02.2026 dhe deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në disa segmente kryesore në qendër të Tiranë, konkretisht:
-
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”;
-
Rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Autoritetet paralajmërojnë se, në varësi të ecurisë së tubimit, mund të ketë kufizime të tjera të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimesh shtesë, qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Në fund të reagimit, Policia apelon që qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara, të përdorin itinerare alternative dhe të raportojnë çdo veprim të dhunshëm apo shkelje të ligjit që mund të konstatojnë gjatë zhvillimit të tubimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



