Protesta e qytetarëve nuk ndalet, sot dita e 79-të e revoltës
Protesta e 79-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama pritet të zhvillohet sot në Tiranë, duke vijuar një seri tubimesh të përditshme që kanë zgjatur për më shumë se dy muaj.
Pas protestës së një dite më parë, ku mijëra qytetarë u mblodhën në kryeqytet dhe marshuan në disa prej akseve kryesore të Tiranës, protestuesit pritet të rikthehen sërish në rrugë. Kërkesa kryesore e tyre mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe ndryshimi i kursit politik të qeverisë.
Thirrjet kundër qeverisë dhe Edi Ramës janë përsëritur gjatë çdo tubimi, ndërsa slogane si “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Atdheu nuk shitet!” janë kthyer në pjesë të pandashme të protestave.
Në protestën e 78-të, pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në bulevardet e Tiranës. Në tubim u vunë re edhe qytetarë shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët i janë bashkuar qëndresës së zhvilluar prej javësh në kryeqytet.
Prania e diasporës është shtuar veçanërisht gjatë protestave të fundit, duke u bërë një nga elementët më të dallueshëm të tubimeve. Qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë marrë pjesë në marshime dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për kërkesat e protestuesve.
Protesta e 79-të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të ndalin tubimet pa u përmbushur kërkesat e tyre.
Edhe sot, marshimi pritet të përfshijë akset kryesore të kryeqytetit, me protestuesit që synojnë të rikthehen përpara Kryeministrisë. Aty pritet të mbahen fjalime dhe të përsëriten kërkesat për largimin e qeverisë dhe ndryshimin politik.
Pas 79 protestash të njëpasnjëshme, lëvizja kundër qeverisë vijon të mbajë të pranishme në skenën publike kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve nga Shqipëria dhe diaspora mbetet një prej zhvillimeve kryesore të ditëve të fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



