E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protesta e qytetarëve nuk ndalet, sot dita e 81 e revoltës
Lajme

Protesta e qytetarëve nuk ndalet, sot dita e 81 e revoltës

Protesta e nisur në Tiranë ka hyrë në ditën e 81-të, duke u shndërruar në një prej protestave më të gjata të zhvilluara në mënyrë të vazhdueshme në kryeqytet gjatë muajve të fundit.

Për 81 ditë me radhë, qytetarë janë mbledhur në zonat qendrore të Tiranës dhe para Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesat për ndryshime politike dhe duke kundërshtuar qeverisjen aktuale. Tubimi është bërë i njohur me emërtimin “Revolucioni i Flamingove”.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, protesta ka marrë forma të ndryshme. Qytetarët kanë organizuar marshime, grumbullime të mëdha dhe tubime të përditshme pranë institucioneve kryesore të vendit. Kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi politik.

Në ditën e 81-të, protestuesit janë mbledhur sërish në rrugët e Tiranës, duke përcjellë mesazhet e tyre përmes pankartave, deklaratave dhe thirrjeve kundër qeverisë.

Gjatë protestave janë ngritur një sërë shqetësimesh që lidhen me situatën ekonomike, emigracionin, nivelin e pensioneve, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Në ditët e mëparshme, tubimeve iu bashkuan edhe qytetarë nga diaspora. Një prej tyre, një grua që prej 33 vitesh jeton në Itali, tregoi se kishte udhëtuar drejt Shqipërisë posaçërisht për të marrë pjesë në protestë. Ajo u ndal te vështirësitë me të cilat përballen pensionistët dhe niveli i pensioneve, të cilat, sipas saj, nuk mjaftojnë as për shpenzimet bazë të ilaçeve.

Një tjetër pjesëmarrëse, e ardhur nga Italia, tha se ishte rikthyer në Shqipëri për të protestuar në mbështetje të shqiptarëve dhe të atyre që janë detyruar të largohen nga vendi.

Thirrje u drejtuan edhe ndaj emigrantëve, të cilëve protestuesit u kërkuan të rikthehen në atdhe dhe të bëhen pjesë e zhvillimeve në vend.

Gjatë tubimit, aktivisti Andi Tepelena iu drejtua edhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, duke kërkuar që SPAK të vijojë hetimet dhe të japë përgjigje për çështjet që, sipas tij, shqetësojnë qytetarët.

“80 ditë protestë, revoltë. I themi jo këtij sistemi. O SPAK, ku je? Nuk është koha për pushime, është koha të veprosh. Duam drejtësi me peshqit e mëdhenj”, u shpreh Tepelena.

Aktivisti kërkoi gjithashtu transparencë lidhur me dosjen Balluku, ndërsa ngriti akuza dhe pikëpyetje për investimet në sektorin e ndërtimit dhe mundësinë e pastrimit të parave përmes projekteve të ndërtimit.

“Paratë e botës së krimit pastrohen në kulla, ndërtime. Kanë shkuar çmime marramendëse. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e Ramës. Nuk ka negociata me Edi Ramën. Duam qeveri teknike, me njerëz të ndershëm që u dhimbset Atdheu. Shtatori po vjen, është muaji i ndryshimit të madh dhe kam bindje që do të jetë varri i regjimit”, deklaroi ai.

Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit vijuan me marshimin në rrugët e Tiranës, duke shënuar kështu edhe një tjetër ditë të protestës së gjatë të njohur si “Revolucioni i Flamingove”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.