Protesta për Zvërnecin “pushton” mediat ndërkombëtare
Protesta e qytetarëve shqiptarë kundër projektit të Zvërnecit po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, duke kapërcyer kufijtë e vendit dhe duke u kthyer në një çështje me jehonë ndërkombëtare. Tubimet e vazhdueshme në Tiranë dhe reagimi në rritje kanë tërhequr vëmendjen e disa prej mediave më të njohura globale.
Media britanike BBC i ka kushtuar një analizë zhvillimeve të fundit, duke theksuar se protestuesit shqiptarë nuk identifikohen me opozitën politike. Sipas raportimit, pjesëmarrësit kanë shfaqur qëndrime kritike ndaj të gjithë spektrit politik, duke kërkuar përgjegjësi si nga qeveria aktuale, ashtu edhe nga figura të opozitës.
Në artikull evidentohet se disa protestues kanë mbajtur pankarta që kërkojnë ndëshkimin e figurave politike kryesore, duke përfshirë si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili përballet me akuza të ndara për korrupsion.
Jehoja e protestave nuk kufizohet vetëm te BBC. Edhe media të tjera ndërkombëtare si CNN, NBC News dhe Reuters kanë raportuar mbi situatën në Shqipëri. Këto raportime theksojnë se mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit për të kundërshtuar projektin turistik të planifikuar në një zonë të ndjeshme mjedisore në bregdetin e Vlorës.
Reuters, në veçanti, vë në dukje se zhvillimi i propozuar lidhet me një kompani që përmendet për lidhje me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke e bërë çështjen edhe më të ndjeshme në planin ndërkombëtar.
Rritja e interesit nga mediat globale vjen në një moment kur mobilizimi qytetar në Shqipëri po intensifikohet. Protestuesit kanë paralajmëruar vijim të aksioneve, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe mbrojtjen e zonës së Zvërnecit, e konsideruar si një nga hapësirat më të rëndësishme natyrore në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco







