E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse duhet të dalë kryeministri që të përjashtojë një polic?!
Flash

Pse duhet të dalë kryeministri që të përjashtojë një polic?!

I  cili së bashku me shokun e tij dhunoi barbarisht një kamarier në Vlorë?

Kjo është një pyetje që tregon gjendjen skandaloze të shtetit dhe paaftësinë e institucioneve që kanë për detyrë të veprojnë menjëherë në raste të tilla. Nuk mund të presim gjithmonë që kryeministri të bëhet shef policie, shef i AMP-së, prokuror dhe gjykatës. Ka institucione që paguhen nga taksat tona dhe kanë detyrim ligjor të veprojnë.

Ku është Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP)?
AMP duhet të ishte e para që të reagonte, të niste një hetim disiplinor dhe të referonte çështjen në prokurori për veprime të paligjshme të efektivit të policisë. Por çfarë ndodh? Heshtje totale. Asnjë reagim zyrtar, asnjë njoftim, asnjë procedim i nisur. Një inekzistencë totale, që e bën këtë institucion të duket si një fasadë, një dekor i shtrenjtë por pa asnjë funksion real.

Nëse një qytetar i thjeshtë do të dhunonte dikë në mes të lokalit, do të arrestohej menjëherë. Por kur këtë e bën një polic, institucionet mbyllin sytë. Kjo është e papranueshme dhe e turpshme për një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe ligjor.

Ligji është i qartë, AMP ka për detyrë të hetojë dhe të çojë para drejtësisë çdo efektiv policie që abuzon me detyrën dhe ushtron dhunë. Mosveprimi i saj tregon ose paaftësi totale, ose mbrojtje të hapur të abuzuesve me uniformë.

Institucionet përgjegjëse duhet të lëvizin tani, jo pasi kryeministri të bëjë rolin e tyre. Ky polic duhet jo vetëm të përjashtohet menjëherë, por edhe të hetohet penalisht dhe të dalë para drejtësisë si çdo qytetar tjetër që shkel ligjin.

Në të kundërt, çfarë mesazhi po i jepet qytetarëve? Që policia mund të dhunojë, dhe të mbrohet nga heshtja e institucioneve? Që ligji vlen vetëm për njerëzit e thjeshtë, ndërsa uniformat janë mbi ligjin?

Kjo është fyese dhe e rrezikshme për një shoqëri që ende po përpiqet të ketë drejtësi funksionale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.