Pse Evropa ka frikë të mbrojë veten?
Ndërsa vendet evropiane janë zotuar të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, ato mbeten strategjikisht të varura nga Shtetet e Bashkuara, një aleate gjithnjë e më e pabesueshme. Ndërkohë, udhëheqësit politikë refuzojnë të shtrojnë pyetjen e vetme që ka rëndësi: A mund ta garantojë vetë Evropa sigurinë e saj?
“Project Syndicate”
Vetëm pak ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, e cilësoi si një sukses të madh samitin e aleancës në Hagë, Shtetet e Bashkuara ndaluan një dërgesë të planifikuar të pajisjeve ushtarake drejt Ukrainës dhe lehtësuan sanksionet ndaj disa bankave ruse.
Që nga ai moment, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket sikur e ka përmbysur këtë vendim të marrë nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegset. Por askush nuk e di shkallën dhe kohëzgjatjen e kësaj kthese të re. Sepse politika amerikane mbetet shumë e paparashikueshme. Dhe kjo është ajo që i frikëson evropianët.
Prandaj, dhe pavarësisht servilizmit të Rutes, Trump po sinjalizon se angazhimet e sigurisë së Amerikës nuk janë më të lidhura me përpjekjet e vendeve evropiane për të forcuar mbrojtjen e tyre. Në samitin e fundit, anëtarët e NATO-s ranë dakord të rrisin nga 2 në 5 për qind të PBB-së objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës deri në vitin 2035.
Ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Rusia, ka nënvizuar nevojën që Evropa të mbrojë veten, ishte qëndrimi përçmues i Trumpit ndaj Bashkimit Evropian, ai që tek e fundit i bindi udhëheqësit
të vepronin. Megjithatë, lehtësia relative me të cilën u bë ky premtim për shpenzimet shtesë, ngre pikëpyetje serioze se si do të mbahet.
Gjermania ka njëfarë hapësire fiskale, falë viteve të tëra të shpenzimeve të pamjaftueshme dhe borxhit të ulët publik. Por vende të tjera të mëdha evropiane – përfshirë Francën, Britaninëdhe Italinë – përballen me kufizime buxhetore të forta.Megjithatë përtej sfidave buxhetore, angazhimi i ri mbrojtës i NATO-s paraqet probleme edhe më të thella strategjike.
Në kushtet kur është SHBA-ja ajo që përcakton kushtet, do t’i takojë Trumpit dhe pasardhësve të tij të vendosin nëse Evropa po i përmbush detyrimet e saj. Problemi përkeqësohet edhe nga fakti se vendet evropiane janë zotuar të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtje, pa asnjë një angazhim përkatës nga SHBA-ja.
Duke u zotuar të rrisin shpenzimet e mbrojtjes përpara se SHBA-ja të përcaktojë fushëveprimin e pranisë së saj në kontinent, ato rrezikojnë që të inkurajojnë më tejmosangazhimin amerikan. Është një kurth klasik: Nëse vendet evropiane nuk i përmbushin objektivat, SHBA-ja do të ketë arsye për ta zvogëluar mbështetjen e saj; ndërkohë nëse i përmbushin objektivat e tyre, politikëbërësit amerikanë mund të argumentojnë se Evropa s’ka më nevojë për mbështetjen ushtarake amerikane.
Pavarësisht këtij rreziku, asnjë udhëheqës i BE-së nuk është përpjekur që ta lidhë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes me një angazhim konkret për sigurinë nga SHBA-të. Dhe rreziku është real: Elbrixh Kollbi, Nënsekretari i Mbrojtjes i SHBA-së për Politikën dhe arkitekti i strategjisë së Trump përkundrejt NATO-s, ka deklaruar se SHBA-të duhet të zvogëlojnë detyrimet e saj ushtarake, madje edhe ndaj aleatëve kryesorë si Australia.
Përqafimet e ngrohta midis liderëve në samitin e Hagës, nuk mund ta maskojnë kurrsesi faktin se të qenit aleat i Shteteve të Bashkuara nën Trump, po bëhet një problem i madh si në Evropë ashtu edhe në Azi. Duke i pasur parasysh këto dinamika, vështirë se samiti i NATO-s mund të shihet si një fitore për Evropën.
Për më tepër, ideja se vetëm rritja e shpenzimeve të mbrojtjes do të zgjidhë problemet strategjike të BE-së, është shumë e gabuar. Harmonizimi i buxheteve të mbrojtjes në të gjithë Evropën për të minimizuar dyfishimin dhe shpërdorimin do të jetë i vështirë.
Por ashtu, nuk ka konsensus nëse fondet evropiane të mbrojtjes duhet të ndahen ekskluzivisht për kompanitë, kryesisht sepse shumë njerëz në Evropë besojnë ende se mbajtja e lidhjeve të ngushta me SHBA-në garanton vullnetin e mirë dhe mbështetje ushtarake të vazhdueshme.
Për këtë çështje, presidenti francez Makron mbetet në përgjithësi i izoluar. Shumica e evropianëve mendojnë se lutja e tij për të blerë produkte evropiane, është në fakt një mënyrë që ai të promovojë industrinë franceze të mbrojtjes. Në praktikë, shumica e shpenzimeve fillestare ka të ngjarë të shkojnë tek kompanitë amerikane, të cilat gjenden në një pozicion më të mirë për të ofruar shpejt pajisje ushtarake jetike.
Për më tepër, teksa shumë evropianë që kanë frikë se armiqësimi i Trump mund ta përshpejtojë shkëputjen e SHBA-së nga Evropa, dhe duke e parë çdo lëvizje drejt një autonomie më të madhe të BE-së si një kërcënim potencial për NATO-n, vendimet kombëtare për blerje armësh po hartohen në përputhje me rrethanat.
Porosia e fundit e Danimarkës për 4 avionë shtesë F-35 nga SHBA-ja ndodhi pikërisht në kohën kur Trump ripërsëriti kërcënimet e tij për të marrë me çdo mënyrën ishullin e madh tëGrenlandës. Blerja e F-35, që nuk janë avionët luftarakë më të përparuar të prodhuar në SHBA, u pa si një mënyrë për ta qetësuar presidentin amerikan.
Kështu, në vitin 2035, në Evropë do të jenë në shërbim ndoshta 500–700 avionë F35, krahasuar me vetëm 24 avionë luftarakëfrancezë Rafale. Për shumicën e shteteve anëtare të BE-së, blerja e pajisjeve ushtarake evropiane nuk është një përparësi.
Megjithatë, mbështetja tek pajisjet ushtarake amerikane i jep SHBA-së kontroll mbi përdorimin e tyre. Për shembull, vetëm bllokimi i përditësimeve javore të softuerit, do të mjaftonte për të dobësuar performancën e avionit F-35. Për më tepër, të gjithë avionët e prodhuar në SHBA duhet t’u paraqesin planet e fluturimit prodhuesve të tyre amerikanë, dhe kjo nënkupton se asnjë operacion ushtarak evropian që përfshin këta avionë nuk mund të zhvillohet pa dijeninë e SHBA-së.
Por ideja se një ditë SHBA-ja mund të ndjekë objektiva në kundërshtim me interesat e Evropës, mezi pranohet nga shumica e politikëbërësve të BE-së. Edhe kur ndodh, ideja është aq shqetësuese sa që hidhet poshtë shumë shpejt. E gjithë kjo nënvizon dobësitë dhe frikërat politike të Evropës.
Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, mishëron qëndrimin mbizotërues nëbllok, se SHBA-ja nuk duhet të kritikohet asnjëherë publikisht. Edhe presidenti i Këshillit Evropian Antonio Kosta ka qëndruar kryesisht i heshtur për çështjet kryesore të sigurisë që nga marrja e detyrës në vitin 2024.
Komisioneri i Mbrojtjes, Andrius Kubilius, është një nga të paktët që është shprehur publikisht se Evropa duhet të përgatitet për të mbrojtur veten pa mbështetjen amerikane. Por edhe ai e shmang përballjen me pasojat politike dhe strategjike të një ndryshimi të tillë, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendimmarrjen dhe blerjen e armatimeve.
Ndërsa dy vitet e para të luftës në Ukrainë, e forcuan besueshmërinë e BE-së, ngërçi aktual dhe tërheqja e Amerikës, na kanë zbuluar një realitet të pakëndshëm: Evropa nuk i frikësohet asgjëje më shumë sesa pavarësisë së vërtetë.
Shënim: Zaki Laïdi, profesor në Universitetin Sciences Po nëParis, ish-këshilltar special i Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



