E diel, 22 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Tre mjete fluturuese ruse bien në Poloni, NATO thërret mbledhje urgjente
Bota

Tre mjete fluturuese ruse bien në Poloni, NATO thërret mbledhje urgjente

Një incident i rëndë ajror ka ngritur në alarm autoritetet polake dhe strukturat e NATO-s, pasi tre mjete fluturuese me origjinë ruse shkelën hapësirën ajrore të Polonisë dhe përfunduan në territorin e saj. Ngjarja, e regjistruar mëngjesin e 20 nëntorit, ka nxitur reagime të menjëhershme politike dhe ushtarake, ndërsa Aleanca pritet të shqyrtojë situatën në një takim urgjent në Bruksel.

Sipas të dhënave të bëra publike, incidenti ndodhi gjatë një prej sulmeve më të mëdha ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës. Mes mjeteve të identifikuara në territorin polak ishte një raketë lundruese e tipit Kh-101. Dy objektet e tjera dyshohet se ishin një raketë dhe një dron i pajisur me motor reaktiv.

Të tre mjetet fluturuese përfunduan në zona të ndryshme të juglindjes së Polonisë, në rajonet Podkarpackie dhe Lubelskie. Autoritetet konfirmuan se incidenti nuk shkaktoi persona të lënduar, por shkelja e hapësirës ajrore të një vendi anëtar të NATO-s ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e rajonit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e konsideroi ngjarjen të rrezikshme dhe bëri të ditur se avionët luftarakë të Aleancës u aktivizuan menjëherë pas evidentimit të shkeljes, duke u ngritur në ajër për të reaguar ndaj situatës.

Edhe kryeministri polak, Donald Tusk, konfirmoi se autoritetet kanë identifikuar origjinën ruse të të tre mjeteve fluturuese. Kreu i qeverisë nuk përjashtoi mundësinë që shkelja e hapësirës ajrore të mos ketë qenë një incident aksidental, por pjesë e një provokimi të qëllimshëm.

Për të analizuar zhvillimet dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm, Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, do të mblidhet të hënën, më 23 nëntor, në Bruksel. Polonia do të përfaqësohet në këtë takim nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Paweł Zalewski.

Në qendër të diskutimeve do të jetë shkelja e hapësirës ajrore polake, por edhe nevoja për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të krahut lindor të Aleancës. Takimi merr rëndësi të veçantë për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në rajon dhe rrezikut që zhvillimet e luftës në Ukrainë të krijojnë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë e vendeve të NATO-s.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.