E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Punonjësit e Bashkisë së Rrogozhinës bojkotojnë punën
Lajme

Punonjësit e Bashkisë së Rrogozhinës bojkotojnë punën

Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë kanë bojkotuar këtë të hënë aktivitetin e përditshëm, duke lënë zyrat në shenjë proteste ndaj draft-propozimit për bashkimin e kësaj bashkie me atë të Kavajës. Aksioni demonstrativ nisi në orën 09:00, ndërsa punonjësit shprehën hapur kundërshtimin ndaj reformës së propozuar.

Sipas tyre, plani për shkrirjen e bashkisë përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj identitetit dhe funksionimit të Rrogozhinës si njësi vendore më vete. Ata theksuan se institucioni plotëson të gjitha kriteret për të vijuar si bashki, si në aspektin e burimeve njerëzore ashtu edhe në atë financiar.

“Bashkisë Rrogozhinë po i bëhet një padrejtësi e madhe. Ne kemi rreth 43 mijë banorë dhe i përmbushim të gjitha standardet për të qenë bashki më vete. Nuk jemi produkt i reformës së vitit 2015, por kemi dekada që funksionojmë si njësi vendore. Nuk e pranojmë këtë bashkim”, u shpreh një nga punonjësit.

Në reagimet e tyre, punonjësit kritikuan edhe mënyrën se si po trajtohen të dhënat për bashkinë, duke theksuar se realiteti në terren nuk përputhet me argumentet e përdorura për reformën.

Një tjetër zë nga protesta i bëri thirrje institucioneve më të larta shtetërore që të rishikojnë vendimin, duke paralajmëruar se bashkimi me Kavajën mund të dëmtojë ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Kjo nuk është një çështje politike, por lidhet drejtpërdrejt me shërbimet që u ofrojmë qytetarëve. Rrogozhina i menaxhon vetë këto shërbime dhe nuk ka garanci që ato do të përmirësohen nëse kalojnë nën administrimin e një bashkie tjetër”, u shpreh ai.

Protestuesit sollën në vëmendje edhe potencialet zhvillimore të zonës, duke përmendur turizmin dhe asetet kulturore si Kalaja e Vilë Bashtovës dhe plazhi i Spillesë, si elementë që sipas tyre kërkojnë mbështetje dhe investime, jo ndryshime administrative.

“Ne kemi potencial për zhvillim dhe kemi nevojë për më shumë investime, jo për t’u shkrirë. Askush nuk na garanton se qytetarët do të marrin shërbime më të mira nëse bashkohemi me Kavajën”, deklaroi një tjetër punonjës.

Bojkoti i sotëm pritet të pasohet nga reagime të tjera, ndërsa debati për reformën territoriale vijon të përfshijë gjithnjë e më shumë komunitetet lokale në të gjithë vendin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.