‘Pushka e jevgut’ po i ‘kushton’ rëndë Arbana Osmanit
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ‘i tërheq veshin’: Gjuhë raciste!
Një koment i bërë gjatë transmetimit të fundit të reality show-t Ferma VIP ka vendosur në qendër të debatit publik moderatoren Arbana Osmani.
Gjatë një momenti diskutimi në “prime”, ajo iu drejtua një prej konkurrentëve, Akilit, me shprehjen: “Me thënë të drejtën, ke marrë pak si pushka e jevgut”. Kjo frazë, e përdorur në kontekst batute, u interpretua nga shumë ndjekës si problematike për shkak të ngarkesës së saj stereotipike.
Edhe pse moderatorja reagoi menjëherë duke kërkuar ndjesë publike, fragmenti u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta dhe kritika ndaj përdorimit të një gjuhe të tillë në një format televiziv me audiencë të gjerë.
Debati mori një tjetër dimension pas reagimit të Robert Gajda, i cili në cilësinë e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi e cilësoi deklaratën si të papërshtatshme dhe me përmbajtje që mund të perceptohet si diskriminuese.
Në një reagim zyrtar, institucioni bëri të ditur se është njohur me përmbajtjen e transmetimit të datës 30 mars 2026 në televizionin Vizion Plus, duke theksuar shqetësimin për përdorimin e stereotipeve dhe gjuhës që mund të ndikojë negativisht tek komunitete të caktuara.
Sipas Komisionerit, përdorimi i shprehjeve të tilla, sidomos në transmetime të drejtpërdrejta, rrezikon të amplifikohet në rrjetet sociale dhe të prodhojë pasoja më të gjera sesa momenti në të cilin është thënë.
Ngjarja ka rihapur diskutimin mbi përgjegjësinë e figurave publike dhe medias për të shmangur gjuhën që mund të perceptohet si diskriminuese, si dhe për standardet që duhet të respektohen në komunikimin publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



