Qytetarët nisin të anulojnë prenotimet e apartamenteve në “Durrës Marina”

Blerësit marrin masat menjëherë pas skandalit të “zhytjes” së pallateve
Pas investigimit të publikuar nga emisioni “Piranjat” mbi problematikat në projektin “Durrës Marina”, situata ka marrë një kthesë të fortë, duke prekur drejtpërdrejt edhe qytetarët që kishin investuar ose planifikonin të blinin apartamente në këtë kompleks.
Reagimi zyrtar i Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), i cili pranoi se dy prej godinave kanë pësuar ulje strukturore, ka rritur ndjeshëm pasigurinë mes blerësve.
Mësohet se gjatë ditës së sotme është vërejtur një fluks qytetarësh pranë zyrave të shitjes së projektit, të cilët kanë kërkuar të tërhiqen nga kontratat apo rezervimet e bëra më herët. Vendimi i tyre lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit dhe dyshimet mbi qëndrueshmërinë e ndërtesave.
Tensioni dhe pasiguria janë rritur mes investitorëve individualë, të cilët shprehen se nuk kanë marrë garanci të qarta mbi sigurinë strukturore të objektit. Projekti “Durrës Marina”, i prezantuar më parë si një nga investimet më ambicioze dhe moderne në vend, tashmë po përballet me një krizë besimi.
Pas publikimeve të “Piranjat” dhe konstatimeve të IKMT-së, perceptimi publik për këtë projekt duket se është tronditur, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e ndërtimit dhe mbikëqyrjen institucionale.
Deri në këtë fazë, nuk ka një reagim zyrtar nga kompania zbatuese lidhur me situatën, ndërsa qytetarët kërkojnë transparencë të plotë dhe garanci konkrete për sigurinë e investimeve të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



