“Qytetarët të përgatiten”, Berisha del me paralajmërimin e fortë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar zhvillimin e protestave të reja kombëtare kundër qeverisë Rama. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ish-kryeministri u shpreh se opozita do të nisë një valë të re qëndrese për të imponuar krijimin e një qeverie teknike që, sipas tij, është e vetmja garanci për zgjedhje të lira.
Berisha theksoi se opozita nuk do të pranojë më “asnjë proces të manipuluar”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të përgatiten për betejën e ardhshme politike.
“Qeverinë teknike nuk ta krijon kush nëse nuk e imponon vetë. Shqiptarët, nëse duan të votojnë të lirë, duhet të përgatiten për betejën tonë, për protestën tonë për votën e lirë,” – deklaroi Berisha.
Sipas tij, qëndresa popullore është rruga e vetme për të rrëzuar “regjimin e korrupsionit dhe vjedhjes masive” që, siç tha, ka kapur çdo institucion të vendit.
Berisha shtoi se Partia Demokratike do të udhëheqë protestat “pa kthim”, duke paralajmëruar një dimër të nxehtë politik dhe një “përballje të drejtpërdrejtë me qeverinë”.
“Nuk ka më kompromis me krimin elektoral. Nuk ka më durim ndaj padrejtësive. Do ta imponojmë qeverinë teknike me forcën e qytetarëve të bashkuar,” – nënvizoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



