Rama detyrohet të shkojë në votim; ligji i sportit kalon me 70 vota

Partia Socialiste edhe në seancën e sotme parlamentare ka qenë në krizë numrash, duke detyruar kryeministrin Edi Rama të marrë pjesë vetë në votim.

Në seancat e fundit ai nuk ka marrë pjesë, por është vënë re se PS nuk ka siguruar dot votat për kalimin e ligjeve dhe është ndihmuar nga deputetët e Tom Doshit. Pas shumë seancash, sot Rama shkoi në sallë në momentin e votimit, por u largua në mes të procesit duke lëkundur sërish pozitat e mazhorancës.

PS sërish në krizë numrash, Rama detyrohet të shkojë

Rama merr pjesë në votim

Katër ligjet e para në rend dite kaluan me 74 vota (3 nga PSD), por te ligji i sportit pati krisje në radhët e PS. Petro Koçi dhe Erion Braçe abstenuan, duke bërë që ligji të kalojë me 70 vota, procedurë kjo që pritet të shkaktojë debate. Normalisht ligjet duhet të kalojnë me 71 vota, por PS e interpreton ligjin duke u kapur te fakti i shumicës së votave në sallë.

PS sërish në krizë numrash, Rama detyrohet të shkojë

Votimi i ligjit për sportin

Ndërkohë pas largimit të Ramës, ligjet e tjera kaluan me 72-73 vota duke bërë që PS të sigurojë sërish mazhorancën falë votave të marra nga deputetët e PSD, Gledis Çeliku, Meri Markiçi dhe Gertjan Deda. Pra ajo që kemi thënë, që Rama dhe Doshi para zgjedhjeve duket se u përplasën sa për sy e faqe dhe çështje fushate, pasi tani janë në aleancë të fortë mes tyre.

Rendi i ditës

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.6.2025.
2. Njoftime.
3. Projektligji “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”.
4. Projektligji “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.
5. Projektligji “Për shëndetin e bimëve”.
6. Projektligji “Për shëndetin e kafshëve”.
7. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2017 “Për sportin”, i ndryshuar.
8. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2021, “Për të huajt”.
9. Projektligji “Për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve”.
10. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Bankës Ndërkombëtare për Rindërtimin dhe Zhvillimin për financimin shtesë për “Veprimin
e ofrimit të shërbimeve të përqendruara dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit”.
11. Projektligji “Për prodhimin, transportin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të
lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport”.
12. Projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 67/2020 “Për miratimin e
strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë të plotë pune të
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, të ndryshuar”.

Publikuar nga Publik Media