Rama e pranon se Balluku e futi në sherr me ndërkombëtarët
“Nuk pranoj të më shikojë askush nga lart poshtë”
Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar publikisht se ka pasur diskutime dhe mospërputhje me disa partnerë ndërkombëtarë lidhur me çështjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, pas vendimit të një dite më parë në Kuvendi i Shqipërisë për të mos e hequr atë.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, kreu i qeverisë pranoi se çështja ka shkaktuar debate me disa përfaqësi diplomatike, por theksoi se në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë Shqipëria duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë.
Sipas Ramës, roli i tij si kryeministër është të mbrojë interesin e vendit dhe të përfaqësojë shqiptarët, duke mbajtur një qëndrim të barabartë në çdo diskutim me aleatët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se nuk e konsideron të pranueshme që askush ta trajtojë Shqipërinë me superioritet, ndërsa shtoi se as vetë nuk synon të vendoset në një pozicion të tillë ndaj partnerëve.
Kryeministri u ndal edhe tek vendimi i Parlamentit për të mos pranuar kërkesën e prokurorisë, duke argumentuar se dokumentacioni i paraqitur nuk përmbushte kriteret minimale për t’u marrë në shqyrtim nga deputetët.
Sipas tij, çështja nuk lidhet me një akuzë të ngritur për korrupsion, por me një procedurë hetimore që mund të vijojë pa pengesa nga organet e drejtësisë.
Rama deklaroi se qeveria mbështet hetimin e çdo dyshimi të mundshëm dhe inkurajon prokurorinë të ndjekë çdo pistë që mund të çojë drejt zbardhjes së së vërtetës.
Ai gjithashtu reagoi ndaj kritikave që sugjerojnë se vendimi për Ballukun mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.
Sipas kryeministrit, interpretimi se ky vendim mund të bllokojë rrugën europiane të vendit është i shtrembëruar dhe nuk përputhet me realitetin.
Rama theksoi se diskutimet me partnerët ndërkombëtarë kanë qenë konstruktive dhe nuk kanë përfshirë presione apo tensione, duke nënvizuar se në nivelet ku zhvillohen këto komunikime institucionale nuk përdoren forma të tilla.
“Do ta nis nga vendimi i djeshëm i Parlamentit për jehonën tërësisht të deformuar që iu dha atij vendimi. Ju me siguri e keni ndjekur të gjithë rrjedhën e ditës, keni ndjekur edhe prononcimin tim, që dua ta përsëris që lidhet me të vërtetën e madhe që kërkesa e Prokurorisë nuk i përmbushte as kushtet minimale për tu marrë në konsideratë. Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo për t’i dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do të pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, apo do pengojë drejtësinë, është përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet ka të gjithë ingredientët që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet. Kemi patur debat me ndërkombëtarët për mandatin e Ballukut, por unë kontratën e kam me shqiptarët. Si kundër siç e din shumicë bëjnë sikur se dinë pakica, unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve dhe një nga normat e padiskutueshmi të këtij përfaqësimi është që ti shikoj partnerët në sy, të më shohin në sy në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shoh njeri nga lart poshtë dhe as pranoj të më shikojë njeri nga lart poshtë. Diskutimet tona kanë qenë konstruktive, s’ka pasur asgjë jo si ato që janë thënë, po as të ngjashme. Këto janë gjëra që nuk ndodh në ato nivele ku bëhen këto diskutime. Besoj që edhe vetë deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi janë të qarta,” shtoi Rama.
Në përfundim, ai përsëriti se kontrata e tij politike është me qytetarët shqiptarë dhe se vendimet e qeverisë dhe shumicës parlamentare udhëhiqen nga interesi i vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



