Rama “fut duart” te Dhomat e Tregtisë: Do ndryshojmë legjislacionin
Po bëni anketa dhe raporte jo profesionale!
Kreu i qeverisë Edi Rama ka kërkuar ndryshimin e legjislacionit të Dhomave të Tregtisë për ta përafruar atë me të Bashkimit Europian.
Rama u shpreh se ka një legjislacion të prapambetur për funksionimin e dhomave të tregtisë. Ai shtoi se është e pamundur të mos reflektohet në anketat dhe opinionet e tyre ndryshimi i bërë me radhën në sportele, duke e kthyer çdo gjë në elektronike.
“Së pari në nevojën për një reformim të legjislacionit të dhomave të tregtisë. Ka ardhur koha ta përmirësojmë atë dhe ta përafrojmë me standardet më të mira të vendeve më të zhvilluara. Kemi një legjislacion shumë të prapambetur për funksionimin e dhomave të tregtisë. Ndërveprimi ynë me biznesin që kanalizohet përmes dhomave të tregtisë duhet të jetë dinamik në vazhdimësi. Ne duam që të diskutojmë me ju dhe të ndërtojmë një format të një dialogu sistematik dhe në funksion të transparencës më gjithë komunitetin e biznesit, publikun dhe partnerët ndërkombëtarë.
Dhe ato organizata që merren me raporte dhe rezultate reale. Klima e biznesit ka problematikat e veta por mjafton t’i hedhësh një sy hapave që janë bërë për të transformuar procese. Që deri dje ishin zvarritëse me radha, pritje ndërsa sot janë elektronike, pa kontakt fizik. Është e pamundur që kjo të mos reflektohet në raportet e dhomave të tregtisë. Është e pamundur të jemi pre e anketave të bëra në mënyrë jo profesionale që cenojnë imazhin e këtij vendi. Nuk mund të jemi pre e opinioneve të mbledhura rrugëve dhe opinioneve të marra në rrugë kaotike dhe kanaleve që përçojnë opinione që nuk përputhen me realitetin.
Ne e kemi bërë përpjekjen dhe do vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë për të krijuar ndërveprim transparent me biznesin por na takon t’i kërkojmë dhomave të bizneseve të përgatisin raporte të sakta. Është e pamundur që Shqipëria në raporte të dalë njësoj. Janë të gjitha këto kthyer në ndërveprime pa prani fizike të askujt nga shteti. Janë elektronike të gjitha. Si qenka kjo që dalin njësoj. Vetëm nga arbitrariteti i atyre që flasin pa lidhje dhe nga anketime që bëhen në mënyrë jo profesionale. Kjo nuk ka të bëjë me qeverinë. Ka të bëjë me një raport përgjegjshmërie për nevojën që kemi për të forcuar komunitetin e biznesit”, tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



