Rama hap thesin në kohë rekord, miraton 740 milionë lekët për policët
Qeveria ka miratuar shpërblimin financiar për 2.750 punonjës të Policisë së Shtetit, pas premtimit të kryeministrit Edi Rama për një bonus prej rreth 2.500 eurosh për efektivët e angazhuar në vijën e parë gjatë protestave në Tiranë.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe parashikon një fond total prej 740.080.000 lekësh, i cili do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026. Sipas dokumentit, secili prej punonjësve të përzgjedhur do të përfitojë 269.120 lekë.
Vendimi është marrë në një periudhë të tensionuar, kur protestat kundër qeverisë dhe përplasjet mes demonstruesve dhe forcave të rendit kanë vijuar në kryeqytet. Përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion dhe shoqërimi i protestuesve kanë qenë ndër zhvillimet që kanë shoqëruar demonstratat e ditëve të fundit.
Bonusi për policët, 740 milionë lekë nga fondi rezervë
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, shpërblimi justifikohet me angazhimin e shtuar të punonjësve të Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Fondi shtohet në buxhetin e Policisë
Për realizimin e pagesave, në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të shtohet fondi prej 740.080.000 lekësh, në zërin e shpenzimeve korrente të programit buxhetor “Policia e Shtetit”.
Financimi do të sigurohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të përcaktojë emrat e përfituesve, duke u bazuar në dokumentacionin justifikues.
Premtimi i Ramës në kulmin e protestave
Në zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Premtimi i Ramës në kulmin e protestave
Kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar shpërblimin gjatë takimit me efektivët e Policisë, duke e lidhur atë me angazhimin e shtuar, stresin dhe shpenzimet që, sipas tij, shoqërojnë shërbimin në kushtet e protestave.
Rritje page e planifikuar nga 1 janari
Përveç bonusit financiar, Rama ka paralajmëruar edhe rritje të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit nga 1 janari.
Miratimi i menjëhershëm i fondit e konkretizon premtimin e kryeministrit në një moment kur policia është në qendër të vëmendjes për mënyrën e menaxhimit të protestave dhe përplasjet me demonstruesit.
Shpërblimi, për nga vlera dhe koha e miratimit, pritet të ngrejë diskutime mbi përdorimin e fondeve publike dhe mënyrën e kompensimit të efektivëve të angazhuar në ruajtjen e rendit. Nga ana tjetër, argumentimi zyrtar i qeverisë e lidh pagesën me ngarkesën e shtuar në detyrë.
Çfarë parashikon vendimi zyrtar?
Dokumenti i miratuar nga Këshilli i Ministrave përcakton pesë pika kryesore:
- Përfituesit: 2.750 punonjës të Policisë së Shtetit.
- Shuma për secilin efektiv: 269.120 lekë.
- Fondi total: 740.080.000 lekë.
- Burimi i financimit: fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
- Zbatimi: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të hartojë listën e përfituesve dhe do të kryejë procedurat e pagesës.
Vendimi është miratuar në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, legjislacionit për menaxhimin e sistemit buxhetor, ligjit për buxhetin e vitit 2026 dhe ligjit për Policinë e Shtetit.
Hyrja në fuqi e menjëhershme
Me hyrjen e tij në fuqi të menjëhershme, qeveria i ka hapur rrugë procedurave për shpërndarjen e bonusit për efektivët që do të përfshihen në listën zyrtare të përfituesve.
Vendimi i qeverisë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
2. Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.
3. Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



